Greqia shpërngul 2,300 azilkërkues nga kampet brenda vendit
Pandemia rrezikon përhapjen e koronavirusit në kampet e azilkërkuesve në Greqi. Autoritetet prej dy javësh kanë nisur t’i shpërngulin ata brenda vendit. Ndërkohë nga e hëna grekët do të kenë liri më të madhe lëvizjeve brenda qendrave të tyre të banimit.
Mbi 2,300 emigrantë që strehohen në kampet e ishujve grekë po transferohen brenda vendit si masë për mospërhapjen në to të koronavirusit.
Dy anije në portin e Lesbosit u përdorën për të lëvizur azilkërkuesit e kampit të Morias, që konsiderohen në rrezik nga pandemia për shkak të mbipopullimit, problemeve shëndetësore dhe moshës.
Nga kampet e ishujve grekë në Egje këto dy javë janë transferuar mbi 800 banorë, teksa 1,600 minorenë të pashoqëruar do të dërgohen drejt Gjermanisë, dhe vendeve të tjera europiane.
Notis Mitarakis, ministri grek për Emigracionin, vizitoi të dielën një nga klinikat që teston emigrantët për koronavirus në ishullin e Lesbosit.
“Fatmirësisht nuk kemi asnjë rast vdekjeje nga koronavirusi mes emigrantëve. Na duhet më shumë gatishmëri tani që hyjmë në fazën e dytë, të rritim testimet që koronavirusi të mos hyjë në kampe.”
5 ishujt grekë të Egjeut strehojnë mbi 36 mijë emigrantë dhe kanë arritur deri tani të evitojnë përhapjen e virusit të Covid-19.
Disa raste janë konfirmuar në institucionet e posaçme të ngritura për refugjatët brenda vendit, dhe subjektet janë vënë në karantinë.
Në Greqi, mbi 2,600 qytetarë janë regjistruar si bartës të infeksionit që ka rezultuar vdekjeprurës për më shumë se 140 persona.
Nga e hëna vendi ka lehtësuar masat e karantinës, duke lejuar lëvizjet e qytetarëve brenda qendrës së banimit, rihapjen e disa dyqaneve, librarive dhe salloneve të bukurisë, shkollat nga data 11 maj ndërsa më 1 qershor rifillojnë aktivitetet hotelet, restorantet, baret dhe qendrat tregtare.
Kryeministri grek, Qirjakos Micotaqis, ka thënë se prioritet i qeverisë së tij do të jetë rimëkëmbja e ekonomisë dhe rigjallërimi gradual i turizmit.
Sipas tij, është e rëndësishme që Bashkimi Europian të adoptojë një qëndrim unik dhe të shpejtë si do veprohet me udhëtimet dhe rihapjen e kufijve.