Guvernatori i New York-ut akuzohet për ngacmim seksual ndaj tre punonjëseve

Vetëm një vit më parë, me daljet e tij televizive për masat kundër pandemisë së koronavirusit, dhe kundërvënia ndaj presidentit Trump, Guvernatori i New York,  Andrew Cuomo ishte një prej njerëzve më të pëlqyer nga amerikanët.

Madje, prej daljeve të tij të përditshme për të njoftuar publikun  për koronavirusin, ai fitoi edhe një çmim ndërkombëtar Emmy.

Por gjithçka rreth tij po shembet nga dita në ditë.

Ai u kritikua për fshehjen e të dhënave në lidhje me numrin e vdekjeve Covid-19 në shtëpitë e të moshuarve.

Më pas një Asamblist Demokrat tha që Guvernatori e kishte kërcënuar se do ta “shkatërronte” nëse do ta sfidonte për të dhënat e pandemisë.

Së fundmi, 3 ish-ndihmëse të tij pretendojnë se Guvernatori i ka ngacmuar seksualisht në zyrën e tij, që është mohuar nga zyrtari i lartë.

Vetë demokratët e lartë të New York, përfshirë senatorët Chuck Schumer dhe Kirsten Gillibrand, po bëjnë thirrje për një hetim zyrtar nga Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, për rastet e denoncuara.

Zërat e demokratëve ndërkaq, po bashkohen me thirrjet republikanëve që Cuomo të jap dorëheqjen nga posti publik.

Në vetëm pak ditë, një nga yjet në ngjitje të demokratëve që mund të ishte edhe kandidat për President në zgjedhjet e shkuara, përballet me akuza që mund t’i japin fund karrierës së tij politike.

SHKARKO APP