Hapen xhamitë, besimtarët falin namazin e drekës
Maqedonia e Veriut po i rikthehet jetës së përditshme, para pandemisë së Covid-19. Pas gati dy muaj mbyllje, sot u hapën sërish xhamitë. Shumë besimtarë iu drejtuan objekteve të kultit për të falur namazin e drekës, të parin në xhami që nga fillimi i Ramazanit. Besimtarët duhet t’i përmbahen protokollit të veçantë gjatë faljes në xhami. Maskat dhe distanca përkatëse janë të detyrueshme. Edhe pse xhamitë u hapën me vendim të Bashkësisë Fetare Islame, besimtarët do të mund t’i vizitojnë vetëm kur nuk është në fuqi ora policore. Kufizimi i lëvizjes do t’i mbajë xhamitë e mbyllura për 3 nga 5 namazet e ditës. Covid-19 ka infektuar gjithsej 1674 qytetarë por sot ka vetëm 377 raste aktive. Janë shëruar gjithsej 1205 pacientë, ndërsa virusi ka marrë jetën e 92 personave.