Hartohet ligj i ri për të fituar nënshtetësinë greke
Në Greqi janë me qindra mijëra emigrantë shqiptarë, fëmijët e të cilëve mund të fitojnë me lehtë nënshtetësi. Regjistrimi në klasën e parë të shkollës fillore dhe vazhdimi i arsimimit në Greqi, janë dy prej kërkesave që fëmijët e lindur nga shtetas të huaj të fitojnë nënshtetësinë. Projektligji i ri u publikua të enjten dhe po diskutohet me grupet e interesit në Greqi.
Sipas këtij dokumenti, fëmijët duhet të jenë në shkollë në kohën kur aplikojnë për marrjen e nënshtetësisë dhe të paktën njëri prej prindërve të jetë rezident i ligjshëm prej 5 vjetësh.
Ky është ndryshimi thelbësor që rregullon të gjitha çështjet që lidhen me të ashtuquajturin “brezi i dytë” i emigrantëve të vendit, duke përmirësuar rregullin e mëparshëm, që kërkonte qëndrimin e ligjshëm të të dy prindërve prej pesë vjetësh në Greqi.
Kjo kërkesë në ligj ishte shpallur e parregullt nga Këshilli i Lartë i Shtetit. Kësisoj janë shtuar edhe dy kushte: Nënshtetësia do të jepet gjashtë vite pas lindjes e kombinuar me regjistrimin e fëmijës në kopësht ose në shkollën fillore. Edhe për fëmijët e emigrantëve që nuk kanë lindur në Greqi, parashikohet dhënia e nënshtetësisë nëse ndjekin rregullisht arsimin e detyrueshëm 9 –vjeçar, apo atë të mesëm, si dhe universitetin.