Hetimet – Sulmi në Izrael, autoritetet dyshojnë se autori ishte mbështetës i ISIS
Autoritetet izraelite kanë deklaruar se agresori që sulmoi në Jeruzalem është një mbështetës i ekstremsitëve të Shtetit Islamik.
Zyrtarët u shprehën se nga të dhënat që janë grumbulluar deri më tani, kanë dyshime të arsyeshme se shtetasi palestinez i identifikuar me emrin Fadi Kunbar është pjesë e ISIS, ose një person i inspiruar nga sulmet e tyre.
Megjithatë, për të patur një pasqyrim të qartë për atë që ka ndodhur, do të duhet të pritet deri në përfundimin e hetimeve.
Në një prononcim për mediat, Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netaniahu e dënoi aktin agresiv, ndërkohë që shprehu ngushëllime për viktimat dhe familjarët e tyre.
Sulmet me kamion janë kthyer tashshmë në një mënyrë të zakonshme sulmi për ekstremistët e ISIS, pasi ky është rasti i tretë që dicka e tillë ndodh, gjithmonë nëse skenari do të konfirmohet në mënyrë përfundimtare. Më herët, ISIS ka kryer sulme të ngjashme në Nice të Francës si dhe në Berlin.
28-vjeçari Fadi Kunbar drejtoi me shpejtësi të lartë një kamion në një zonë të populluar të Jeruzalemit, duke u marrë jetën katër personave, mes të cilëve ishin tre vajza dhe një djalë, të gjithë në të njëzetat e tyre.
Gjithashtu, si pasojë e përplasjes, 17 individë të tjerë mbetën të plagosur. Këta të fundit u dërguan menjëherë në ambientet spitalore me qëllim që të marrin trajtimin e nevojshëm shëndetsor.
Tragjedia mund të kishte patur përmasa më të mëdha në rast se nuk do të kishte një ndërhyrje të shpejtë nga ana e forcave të sigurisë.
Këta të fundit, mbërritën menjëherë në vend-ngjarje duke qëlluar për vdekje agresorin, Fadi Kunbar.
Shteti Islamik ka kërcënuar edhe më herët se do të ekzekutonte sulme në Izrael, gjë që shton dyshimet se 28-vjecari mund të jetë pjesë e kësaj organizate terroriste.
KOHA JONË SONDAZH

