
”Novaya Gazeta”, një ndër shumë pak media kritike ndaj pushtetit thuajse absolut të presidentit rus Vladimir Putin, botoi në mars të vitit 2000, një artikull mbi rastin e një ushtari rus, Aleksej Pinjev, i cili “huazoi” pak sheqer nga depoja e bazës së tij ushtarake pranë qytetit të Riazanit.
Sipas artikullit, ushtari i ngarkuar të bënte rojë në depon në fjalë, çau një thes të bardhë me mbishkrimin “sheqer” dhe mori një sasi për t’ia hedhur çajit. Shija e keqe e çajit e frikësoi Pinajevin duke e bërë të dyshonte se në vend të sheqerit, mund të kishte përdorur ndonjë substancë toksike. Ai e raportoi ngjarjen te komandanti i tij, i cili konsultoi një xhenier. Ky i fundit arriti në përfundimin se pluhuri i bardhë ishte Heksogjen.
Heksogjeni është një emërtim tjetër për RDX, i cili ishte eksplozivi i gjetur në bombën e pashpërthyer në Riazan. Pas publikimit të artikullit, brenda të njëjtit muaj, një raportim nga Televizioni Publik Rus kritikoi raportimin e “Novaya Gazeta” si të pavërtetë, dhe arriti në përfundimin se jo vetëm ngjarja nuk kishte ndodhur siç ishte raportuar, por që nuk ekzistonte asnjë depo në vendndodhjen e raportuar. Më vonë, vetë ushtari Pinajev e mohoi variantin e raportuar fillimisht.
Tregimi i sheqerit është i rëndësishëm sepse pas parandalimit të shpërthimit në shtator 1999, në ndërtesën në Riazan, policia arriti të arrestojë tre persona, dy burra dhe një grua, të cilët rezultuan agjentë të FSB-së. Në atë kohë, shërbimi sekret rus deklaroi se në fakt bëhej fjalë për një ushtrim stërvitor dhe se lënda e dyshuar si eksploziv, ishte thjesht sheqer. FSB-ja pretendoi se pajisjet e përdorura për identifikimin e përbërjes dhe mënyra e marrjes së kampionit ishin të gabuara.
Viktima të së vërtetës
Një komision i pavarur hetimor nga Duma ruse, mbi rastin e Riazanit, nisi punën në vitin 2002. Por hetimi hasi në një sërë pengesash. Për shembull, disa nga personat e përfshirë në të, vdiqën në aksidente të dyshimta automobilistike apo ajrore. Një nga personat kyç, Mihail Trepashkin, hetues i ngarkuar nga komisioni, duke qenë avokat dhe ish-kolonel i FSB-së, u arrestua për armëmbajtje pa leje dhe u dënua me katër vite burg në një gjyq me dyer të mbyllura, vetëm pak ditë para publikimit të gjetjeve.
Gazetarja Anna Politkovskaja që po investigonte intensivisht për rastin në fjalë, u qëllua për vdekje në vitin 2006. Ajo ndodhej në ashensorin e ndërtesës ku banonte. Në të njëjtin vit, u vra ish-agjenti i shërbimeve sekrete, Aleksander Litvinenko, i cili ishte arratisur dhe jetonte në Londër.
Ai kishte akuzuar drejtpërdrejt presidentin Putin për rolin e tij në shpërthime. Litvinenko u vra me agjentin radioaktiv polonium. Hetimit i kaloi afati dhe dosja mbi shpërthimet e vjeshtës 1999, ku u vranë mbi 300 qytetarë rusë, nuk u hap më kurrë. /A2cnn/
