Historia emocionuese: Nuk e prisnin, por 4 vjeçari fitoi betejën me Covid-19 dhe meningjit

Djaloshi 4 vjeçar Ollie u diagnostikua me meningjit dhe Covid-19 në fillim të janarit, duke kaluar rreth 3 javë në Spitalin e Fëmijëve Arkansas.

Nëna e tij, Whitney Rodgers tha se ai fillimisht rezultoi pozitiv me Covid-19 dhe pastaj u diagnostikua me meningjit bakterial.

“Si prind frika ime më e madhe ishte humbja e një fëmije dhe sinqerisht ne nuk e dinim nëse ai do t’ia dilte,” tha ajo.

“Frika se ky mund të ishte momenti ynë i fundit me të ishte mbizotërues gjatë gjithë kohës. Ishte kaq e  frikshme,” tha Rodgers.

Rodgers tha se djali i saj qëndroi i lidhur me aparatura në shtrat për javë të tëra.

“Nuk më pëlqen as t’i shikoj videot, fotografitë. Është e frikshme vetëm t’i shikoj sërish,” tha ajo.

Sipas Rodgers gjithçka nisi një ditë pas Vitit të Ri. Ollie u dërgua në spital pasi kishte ethe. Sapo mbërriti në spital ai u diagnostikua me Covid-19 dhe me meningjit bakterial, edhe pse nëna e tij tha se ishte vaksinuar për meningjit në dhjetor.

“Pyetja ishte se si e mori këtë? Ai nuk kishte asnjë infeksion tjetër,” tha ajo.

Rodgers tha se mjekët besojnë që Covid-19 e dobësoi sistemin e tij imunitar dhe lejoi përhapjen e baktereve dhe shfaqjen e meningjitit, por akoma ka disa faktorë të panjohur.

Ollie vuajti nga mosfunksionimi i duhur i zemrës, pësoi kriza dhe kishte dy tuba ushqimi pasi nuk reagonte për disa ditë.

Sipas nënës së tij ai duhej të qëndronte në spital për gjashtë javë, por djaloshi luftëtar ia doli për tre javë.

Ky fëmijë është një mrekulli, nuk e di se si e gjeti forcën të bënte atë që bëri,” tha nëna e tij.

Nëna mirënjohëse tha se djali i saj është rikthyer në normalitet, por ende ka një rrugë të gjatë përpara me terapi fizike dhe profesionale.

Ajo tha se do të vazhdojnë me vizitat për të kuptuar se si arriti të infektohej me Covid dhe meningjit në të njëjtën kohë.

SHKARKO APP