Hungari, András Baka zgjidhet president i ri

Parlamenti i Hungarisë ka zgjedhur të martën András Baka si presidentin e ri, pas shkarkimit të debatueshëm të presidentit të mëparshëm, Tamás Sulyok. 73 vjeçari u zgjodh me 140 vota pro dhe 6 kundër. Partia qeverisëse Tisza, e cila ka një shumicë prej dy të tretash në parlament, e kishte propozuar atë për këtë post. Baka ka shërbyer për 17 vjet si gjyqtar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg dhe më herët ka drejtuar Gjykatën Supreme të Hungarisë. Kryeministri Péter Magyar tha se karriera e Baka-s është një shembull i përkushtimit ndaj shtetit ligjor dhe parimeve kushtetuese. Sipas tij, Hungaria duhet të rikthehet në rrugën e shtetit të së drejtës dhe qeverisjes kushtetuese.

Zgjedhja e Baka-s vjen në kuadër të përpjekjeve të qeverisë së re për të ndryshuar institucionet e krijuara gjatë 16 viteve të qeverisjes së Viktor Orbán. Partia e Orbán, Fidesz, së bashku me aleaten e saj KDNP, bojkotoi votimin dhe e cilësoi shkarkimin e presidentit të mëparshëm si “tiranik” dhe “të paligjshëm”. Baka vetë ka qenë kritik ndaj mënyrës se si funksionuan institucionet gjatë qeverisjes së Orbán. Në vitin 2012, ai u largua nga posti i kreut të Gjykatës Supreme pasi kishte kundërshtuar uljen e moshës së pensionit të detyrueshëm për gjyqtarët nga 70 në 62 vjeç.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendosi në vitin 2016 se largimi i tij nga detyra kishte shkelur lirinë e tij të shprehjes. Analistët e shohin zgjedhjen e Baka-s si një sinjal për rikthimin e demokracisë liberale në Hungari. Për shkak të së kaluarës së tij juridike dhe mungesës së një karriere të gjatë politike, ai konsiderohet një figurë e përshtatshme për rolin kryesisht ceremonial të presidentit. Baka kishte pasur vetëm një angazhim të shkurtër në politikë. Në vitin 1990, pas tranzicionit demokratik, ai u zgjodh deputet nga lista e Forumit Demokratik Hungarez, por më pas nuk mbajti poste të tjera politike.

Swiss Digital Desktop Reklama

Mandati i tij si president pritet të jetë i përkohshëm. Magyar ka deklaruar se Baka mund të qëndrojë në detyrë deri në përfundimin e procesit për hartimin e një kushtetute të re, e cila synon të zëvendësojë ligjin themelor të miratuar gjatë periudhës së Orbán. Kryeministri ka thënë se hartimi i kushtetutës së re mund të zgjasë rreth një vit deri në një vit e gjysmë, ndërsa konsultimet publike pritet të nisin muajin e ardhshëm.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?