Incidente në Kumanovë, digjen 11 makina

 

Të paktën 11 makina janë djegur mesnatën e kaluar në Kumanovë brenda një ore. Veturave i është vënë zjarri në disa lagje që ndodhen kryesisht rreth sheshit të qytetit. Policia lokale ka bërë të ditur se ka ndaluar një person për të cilin dyshon se ka kryer këtë vepër, por nuk ka dhënë informacione për identitetin e tij e as për motivet e ngjarjes.  “Policia menjëherë pas incidentit ka ndërmarrë të gjitha masat operative dhe ka arritur të arrestojë një person të dyshuar, ndërsa po punon për zbardhjen e plotë të rastit. Dua t’ju informoj se nga incidenti nuk ka persona të lënduar, pasi makinat kanë qenë të parkuara dhe brenda tyre nuk ka pasur njerëz në momentin kur u është vënë flaka”, ka deklaruar zëdhënësja Valentina Nikollovska.
Banorët e Kumanovës mëngjesin e së martës janë gdhirë të shokuar nga kjo ngjarje. Ata dyshojnë se incidenti është i qëllimshëm.  “S’ka dyshim, dikush i bën këto gjëra me qëllim që të trondisë Kumanovën”, është shprehur Zija Shabedini, banor i qytetit.  Kumanovarët, të cilët ende nuk i kanë harruar luftimet e 9 dhe 10 majit në Lagjen e Trimave, kërkojnë që të ndërpriten skenarët që kanë për qëllim krijimin e tensioneve në këtë qytet me popullsi etnikisht të përzierë.

SHKARKO APP