India regjistron rritjen më të madhe të viktimave nga COVID-19, në 24 orët e fundit

Me 9.851 raste të reja të konfirmuara dhe 273 vdekje nga koronavirus i ri (COVID-19) në 24 orët e fundit, India regjistroi rritjen më të madhe të viktimave që nga shpërthimi i virusit.

Rritja vjen dy ditë para se vendi të kalojë në lehtësimin e kufizimeve, duke hapur objektet fetare, restorantet dhe qendrat tregtare. Sipas Universitetit Johns Hopkins me qendër në SHBA, India aktualisht ka 227.029 raste të konfirmuara dhe 6.363 vdekje nga virusi.

Javën e kaluar, Ministria e Brendshme e Indisë njoftoi lehtësimin e bllokimit nga 8 qershori, duke iu referuar procesit si “zhbllokimi-1”.

Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë ka lëshuar protokolle për të ndaluar përhapjen e virusit. Këto përfshijnë ndalimin e tubimeve të mëdha dhe inkurajimin e restoranteve për të ofruar shërbime “merr me vete”. Pesë shtete të vendit me rritjen më të madhe 24-orëshe në rastet e konfirmuara janë Maharashtra, Delhi, Tamil Nadu, Gujarat dhe Bengal.

Shteti perëndimor Maharashtra, ku ndodhet qendra financiare Mumbai, vazhdon të mbetet më i prekur me gjithsej 2.933 raste të reja. Shteti ka konfirmuar 2.710 vdekje që nga fillimi i shpërthimit, që është numri më i lartë në Indi. Numri i përgjithshëm i rasteve të koronavirusit në Delhi ka tejkaluar shifrën 25 mijë, me gjithsej 650 vdekje.

Aktualisht, India është vendi i shtatë më i prekur në botë nga COVID-19, pas SHBA-së, Brazilit, Rusisë, Mbretërisë së Bashkuar, Spanjës dhe Italisë.

SHKARKO APP