India vazhdon me shifra rekord të viktimave dhe të të prekurve nga koronavirusi

India raportoi të enjten shifra rekorde të të infektuarve dhe viktimave nga koronavirusi. Autoritetet thanë se kanë regjistruar 379,257 raste të reja në 24 orë dhe 3,645 viktima. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka kaluar tashmë 18.3 milionë, ndërsa i viktimave është 204,832.

India është duke kaluar valën më të rëndë të pandemisë, e cila ka shpërthyer pranverën e vitit të kaluar. Spitalet e saj janë të mbingarkuara, ndërsa raportohet për mungesa medikamentesh, përfshirë oksigjenin. Shtetet e Bashkuara njoftuan të mërkurën se do të dërgojnë mbi 100 milionë dollarë furnizime në Indi, përfshirë 1,000 bombola oksigjeni, 15 milionë maska dhe një milion teste të shpejta diagnostikuese. Shtëpia e Bardhë gjithashtu tha se mbi 20 milionë doza të vaksinës AstraZeneca, të destinuara për SHBA-në, do të shkojnë në Indi.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha në azhurnimin e saj javor se India përbën 38 për qind të 5.7 milionë rasteve me koronavirus, të raportuara në të gjithë botën javën e kaluar. Koronavirusi ka prekur afro 150 milionë njerëz në botë. Prej tyre, mbi 3 milionë kanë vdekur dhe mbi 86 milionë janë shëruar. Vendi më i prekur është SHBA-ja, me mbi 32 milionë të infektuar dhe mbi 574,000 viktima.

SHKARKO APP