Instituti i Virologjisë i Wuhanit dyshohet për përhapjen e sëmundjes

Një laborator që studionte viruset më vdekjeprurës në qytetin kinez të Wuhanit vazhdon të jetë në qendër të dyshimeve për përhapjen e koronavirusit. Pamjet e reja tregojnë se ambientet atje mund të kenë qenë të pasigurta, duke provuar disi frikën e shërbimeve të huaja informatike.

Edhe pse Kina i ka hedhur poshtë aludimet se koronavirusi është një produkt laboratorik, pamje të reja i mëshojnë idesë se një laborator në qytetin e Wuhanit mund të jetë burimi i infeksionit që është përhapur tani në mbarë botën.

Foto të publikuara më parë nga një gazetë shtetërore në Kinë, dhe që tani janë fshirë nga rrjeti i saj social, tregojnë se me qindra lloje virusesh vdekjeprurëse që studioheshin nga Instituti kinez i Virologjisë ndoshta janë ruajtur në kushte frigoriferike jo krejtësisht të izoluara.

Sipas medieve amerikane, këto shqetësime mësohet se i kishin vënë në pah zyrtarë të shërbimeve informative të SHBA-së dhe në Britaninë së Madhe që prej janarit të vitit 2018.

Ata i druheshin skenarit të përhapjes së sëmundjeve ngjitëse si SARS-i gjatë testimit të mikroorganizmave të rrezikshëm.

Kjo besohet, sipas burimeve të gazetës “Uashington Post”, se ka ndodhur edhe fundvitin e kaluar me koronavirusin, kur pacienti zero ka qenë një mjeke stazhiere e institutit, e cila pasi infektoi partnerin e vet ndihmoi edhe përhapjen në popullsinë e gjerë.

Por drejtori i institutit kinez i cilëson këto spekulime dashakeqe, të paprovueshme dhe pa sens logjik.

“Mund t’ju them se asnjë nga punonjësit tanë të pensionistë, studentë apo pjesë të stafit nuk është infektuar. Nuk ka mundësi që virusi të ketë dalë nga ne dhe me sa kuptoj unë nga virologjia, nuk mund të provohet nëse virusi aktual ka gjurmë të një origjine artificiale apo sintentike. Sintetizimi i një virusi kërkon inteligjencë dhe burime të jashtëzakonshme që i tejkalon atë të shoqërisë së sotme njerëzore,” shprehet Juan Zhiming, drejtori i Laboratorit Kombëtar të Biosigurisë në Uhan.

Teorinë e përhapjes së koronavirusit nga laboratori dhe jo nga tregu i kafshëve të egra të Wuhanit, siç është supozuar deri tani, e komentoi këtë javë edhe presidenti, Donald Trump, duke thënë se po çdo tezë po hetohet nga autoritetet amerikane.

Zyrtarisht virusi mendohet se ka kaluar te njeriu nëpërmjet gjitarëve të vegjël si lakuriqi i natës, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk e ka deklaruar se virusi është një produkt laboratorik.

SHKARKO APP