Iran – Konsensus për pasuesin e Khameneit mes sulmeve të fuqishme në Teheran
Asambleja e ekspertëve në Iran ka arritur një konsensus për personin që pritet të zëvendësojë liderin suprem Ajatollah Ali Khamenei, megjithëse sipas burimeve zyrtare ende ekzistojnë disa pengesa për finalizimin e emërimit, sipas BBC.
Zhvillimi vjen në një moment kur Teherani është goditur nga bombardime intensive ajrore të kryera nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë pasur në shënjestër depo të mëdha nafte.
Banorët raportojnë shpërthime të shumta dhe një qiell të mbuluar nga re të dendura tymi që kanë errësuar pjesë të kryeqytetit iranian.
Pamje të publikuara nga vendi i ngjarjes tregojnë rrugë të përfshira nga flakët pranë depove të goditura, ndërsa dëshmitarët thonë se zjarri është përhapur edhe në disa dyqane dhe banesa në zonat përreth.
Ndërkohë, konflikti është përhapur edhe në vende të tjera të rajonit të Gjirit.
Një sulm me dron ndaj një ndërtese qeveritare në Kuvajt shkaktoi një zjarr të madh gjatë natës, ndërsa incidente të tjera janë raportuar në disa qytete të rajonit.
Lufta, që tashmë ka hyrë në javën e dytë, po rrit tensionet në të gjithë Lindjen e Mesme, ndërsa autoritetet iraniane kanë deklaruar se vendi do të vazhdojë të mbrohet ndaj çdo sulmi të mëtejshëm. /Ad.Ab./ ATSH
KOHA JONË SONDAZH

