Irani mban zgjedhjet e para pas protestave masive
Në Iran janë hapur të premten kutitë e votimit, për herë të parë prej protestave kundër udhëheqësisë, më 2022.
Zgjedhjet e së premtes po konsiderohen si shumë të rëndësishme për legjitimitetin dhe mbështetjen kombëtare për udhëheqësinë e Iranit – ndonëse pritet të ketë dalje të vogël.
Apatia në mesin e votuesve mbetet e lartë, pas një periudhe trazirash të lidhur me vdekjen e një gruaje të re, e cila ka vdekur ka qenë në mbajtje policore për mosvendosje të hixhabit në “mënyrën e duhur”.
Më shumë se 61.2 milionë njerëz kanë të drejtë vote.
Në këtë vend janë duke u zhvilluar dy lloje zgjedhjesh, njëra për deputetët e rinj parlamentarë, dhe tjetra për të zgjedhur anëtarët e Asamblesë së Ekspertëve.
Asambleja zgjedh dhe mbikëqyr figurën më të fuqishme të Iranit, njëherësh komandantin e përgjithshëm të ushtrisë, liderin suprem, i cili merr vendime kyçe për votuesit, sikurse liritë sociale dhe kushtet ekonomike.
Të enjten, lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei – i cili është në pushtet për më shumë se tri dekada – i ka inkurajuar votuesit që të dalin në votime.
Ai ka thënë se mosdalja në zgjedhje “nuk zgjidh asgjë”.
Media shtetërore ka tentuar t’i inkurajojë njerëzit që të dalin dhe të votojnë duke krijuar edicione maratonike për kandidatët.
Megjithatë, dalja në zgjedhje pritet të jetë e ulët. Një agjenci për sondazhe publike, e lidhur me shtetin, ka parashikuar dalje prej 41 për qind për zgjedhjet parlamentare.
Nëse shifra është e saktë, ajo do të jetë më e ulëta në 12 zgjedhjet e fundit.
Prej protestave mbarëkombëtare të vitit 2022, dhe shtypjes së tyre nga dora e shtetit, atmosfera në Iran është bërë shumë e rëndë dhe publikut i është shtuar ndjenja e pakënaqësisë ndaj qeverisë.
Këtë vit, një numër rekord prej 15.200 kandidatëve kanë të drejtë të garojnë për 290 ulëset e parlamentit, por vetëm 30 prej tyre janë prej kampit reformist.
Ata i kanë përshkruar zgjedhjet si “pa asnjë kuptim, të padrejta, dhe joefektive”.
Të enjten, zyrtari amerikan Mathhew Miller, ka thënë se “një numër i madh i iranianëve” nuk kanë pritshmëri që zgjedhjet do të jenë të lira dhe të drejta./REL