Ish-këshilltari i Trump, Steve Bannon nuk pranon akuzat për mashtrim

Ish-këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Bannon, i tha një gjykate në Nju Jork, se nuk është fajtor për akuzat se, ai dhe tre të tjerë mashtruan donatorët në një skemë fondesh në internet të njohur si “Ne ndërtojmë murin”.

Prokurorët pretendojnë se ai dhe të tjerët “orkestruan një skemë për të mashtruar qindra mijëra donatorë” në lidhje me fushatën e mbledhjes së parave në internet në kuadër të fushatës “Ne ndërtojmë murin”.

Gjatë fushatës, u mblodhën më shumë se 25 milionë dollarë për të ndihmuar në ndërtimin e një muri përgjatë vijës kufitare SHBA-Meksikë.

Organizatorët e skemës u zotuan se 100 për qind e parave të dhuruara do të përdoren për ndërtimin e murit.

Ndërtimi i tij, ka qenë një premtim kyç i fushatës e presidentit, Donald Trump, në fushatën e tij më 2016.

Trump u distancua nga Bannon dhe projekti pasi u shpall aktakuza.
“Unë nuk jam marrë me të për një periudhë të gjatë kohore”, tha Trump.
“Unë nuk isha i përfshirë në projekt. Nuk e di se kush ishte”, tha ai.

Personat tjerë të përmendur në aktakuzë janë Brian Kolfage, Andrew Badolato dhe Timothy Shea. Ata akuzohen se përdorën qindra mijëra dollarë për shpenzime personale dhe skema për të mbuluar krimet e tyre.

Bannon udhëhoqi fushatën presidenciale të Trump më 2016. Pasi Trump u zgjodh president, ai u bë këshilltar i tij. Bannon u shkarkua nga pozita në gusht të vitit 2017.

SHKARKO APP