ISIS masakron 300 persona dhe rrëmben 400 të tjerë
Pjesëtarët e organizatës terroriste ISIS kanë kryer masakër të tmerrshme në provincën lindore Deir al-Zour, duke vrarë rreth 300 persona, kryesisht gra dhe fëmijë, ndërsa raportohet edhe për 400 të tjerë të kidnapuar.
Observatori sirian për të drejtat e njeriut me seli në Londër, që e monitoron situatën në Siri nëpërmjet rrjetit të gjërë të burimeve lokale, tha se militantët i kanë dërguar njerëzit e rrëmbyer nga fshati i kontrolluar nga qeveria, al-Baghalije, në pjesën veriore të qytetit, Deir al-Zor, pas një sulmi madhor të djeshëm në këtë rajon.
Rami Abdulrahman nga ky observator tha se në mesin e personave të rrëmbyer janë edhe anëtarët e familjeve të luftëtarëve proqeveritarë.
“Kemi frikë se 400 vetë do të ekzekutohen ose skllavërohen nga organizata me pretekst se ata janë lojalë ndaj regjimit”, i tha Abdulrahman agjencisë DPA.
Agjencia shtetërore e lajmeve e Sirisë, SANA, më herët ka raportuar se së paku 300 vetë janë vrarë nga sulmet e militantëve të Shtetit Islamik në Deir al-Zor.
SANA thotë se shumica e të vrarëve nga sulmet e djeshme ishin njerëz të moshuar, gra dhe fëmijë.
Aktivistët opozitarë thonë se shumica e viktimave ishin ushtarë sirianë dhe luftëtarë proqeveritarë dhe familjet e tyre.
Grupi ekstremist, Shteti Islamik, e ka kontrollin ndaj pjesës më të madhe të provincës Deir al-Zor dhe kryeqytetit të saj me po këtë emër.
KOHA JONË SONDAZH

