ISIS përgatitet për të sulmuar Bagdadin, frikë për masakër

Ndërsa flamuri i zi i Shtetit Islamik valvitet mbi qytetin Ramadi, pas një beteje të gjatë dhe të përgjakshme, frika më e madhe është se militantët po përgatiten të sulmojnë kryeqytetin e Irakut, Bagdadin, që ndodhet vetëm 110 kilometra larg.

Ekspertët e sigurisë thonë që nëse ekstremistët arrijnë të depërtojnë në Bagdad, do të ndodhë një masakër e përmasave gjigante.

Departamenti Amerikan i Shtetit pranoi se humbja e Ramadit ishte një hap pas në përpjekje për të shkatërruar militantët e ISIS, të cilët kanë masakruar mbi 500 vetë, ndërsa 25 000 të tjerë janë detyruar të largohen për të shpëtuar.

Sipas raportimeve nga terreni, militantët e ISIS po kërkojnë në çdo cep mbështetës të qeverisë irakiane për t’i asgjesuar, ndërsa trupa të shumtë të pajetë qendrojnë prej ditës së dielë të shtrirë në rrugët e qytetit.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje që të ndërhyet sa më shpejt për të shmangur një tjetër krizë humanitare.

Edhe pse Sekretari amerikan i Shtetit Xhon Kerri, ka shprehur besim se trupat irakiane do të arrijnë të rifitojnë kontrollin e qytetit, në terren situata është shumë më e ndërlikuar se kaq, pasi as sulmet ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara nuk ndalën dot avancimin e terroristëve.

Rreth 3000 militantë shiitë janë mbledhur në lindje të qytetit nga ku po përgatisin një kundërofensivë, por duke qenë se mbështeten nga Irani, Uashingtoni i frikësohet nisjes së një tjetër beteje të përgjakshme fetare në zonën ku shumica dërrmuese e popullsisë aderon në islamin sunit.

SHKARKO APP