ISIS synon Gjermaninë, kërcënon Merkel: Do paguash për myslimanët

Në videon e tyre të parë në gjuhën gjermane, grupi militant ISIS ka kërcënuar se do të sulmojë Gjermaninë dhe Austrinë dhe se do të kërkojë hakmarrje ndaj kancelares Angela Merkel për gjakun e myslimanëve të derdhur në Afganistan.

Në viedon e publikuar së fundmi, dy ekstremistë gjermanisht-folës të ISIS i bëjnë thirrje myslimanëve europianë që t’i bashkohen grupit të tyre në Irak dhe Siri, të kryejnë xhihad ndaj Gjermanisë dhe Austrisë dhe të vrasin çdo të pafe në shtëpitë e tyre dhe kudo që ata gjenden, raporton e përditshmja Die Welt.

Nga rrënojat e qytetit sirian antik të Palmirës, dy personat, duke folur herë gjermanisht dhe herë arabisht, përmendën dhe emrin e kancelares Angela Merkel për përkrahjen që ajo i ka dhënë koalicionit ndërkombëtar që po ndërmerr sulme ajrore ndaj ISIS në Siri dhe Irak.

Në fund të videos, dy militantët shfaqen duke vrarë dy ushtarë të regjimit të diktatorit Bashar al-Asad që qëndronin të gjunjëzuar në mesin e rrënojave historike.

Sipas vlerësimeve më të fundit, rreth 600 persona janë larguar nga Gjermania dhe u janë bashkuar ISIS-it, ose grupit Al-Nusra të lidhur me al-Kaedën.

Ndërkohë, të mërkurën policia gjermane ka arrestuar një maroken 21 vjeçar në një strehë për azilkërkuesit në qytezën e Ludivsburgut, nën dyshimin se është përkrahës i ISIS.

I arrestuari mendohet se ka aplikuar për azil me një emër të rremë.

Sipas hetimeve, personi dyshohet se ka shërbyer në Spanjë si pikë kontakti për evropianë që aspironin t’u bashkoheshin militantëve të ISIS.

SHKARKO APP