Italia miraton buxhetin 2020 – Ulje të taksave që do financohen nga ndalimi i evazionit fiskal

Qeveria e Italisë miratoi projektbuxhetin e vitit 2020 këtë javë, që synon të ulë taksat për shtresën e mesme dhe luftojë shmangien tatimore, ndërkohë që mban defiçitin e shpenzimeve në të njëjtin nivel me këtë vit.

Masa u miratua në një mbledhje të kabinetit, që përbëhet nga lëvizja 5-yjet dhe partia demokratike. Paketa do të dërgohet në Bruksel,  ku do shqyrtohet nga Komisioni Europian. Buxheti anulon rritjen e madhe të taksës së shitjeve prej 23 miliardë euro, që ishte projektuar për muajin Janar dhe për të cilën qeveria shqetësohen se do të çonte ekonominë në recesion.

Një version përfundimtar i dokumentit i parë nga Reuters tregoi se Qeveria planifikon të ulë taksat për personat me pagë të mesme, ulje që do t’i kushtojë arkave shtetërore 3 miliardë euro në vitin 2020. Paketa e shpenzimeve ka për objektiv një deficit në 2.2% të Produktit të Brendshëm Bruto për vitin e ardhshëm.

Për të financuar këto masa, Qeveria do përpiqet të ndalojë shmangien tatimore, që i kushton shtetit 109 miliardë euro çdo vit, sipas vlerësimeve të Thesarit. Buxheti duhet të prezantohet në parlament deri më 20 Tetor dhe të miratohet nga të dyja dhomat deri në fund të vitit.

Mbetet ende për të parë nëse do “vuloset” nga Komisioni Europian. Plani për evazionin fiskal synon të inkurajojë përdorimin e kartave të debitit dhe kreditit, në vend të transaksioneve në cash.  Sipas Reuters, do ketë gjoba prej 2000 euro për shitësit që nuk pranojnë karta dhe kufiri i transaksioneve në cash do ulet në 2000 euro nga 3000 që qëndronte.

SHKARKO APP