Ivanov: Nuk do të lejojmë përshkallëzim të situatës në Maqedoni
Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov deklaroi dje në mbrëmje, në një seancë të Këshillit të Sigurisë të Maqedonisë, se nuk do të lejohet përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës në vend.
“Maqedonisë i ka ndodhur ajo që kam paralajmëruar para disa muajve. Autorët dhe të gjitha palët e përfshira në këtë akt terrorist do ta paguajnë shumë shtrenjtë atë që u munduan t’i bëjnë Maqedonisë dhe qytetarëve të saj. Ne nuk do të lejojmë përshkallëzim të tensioneve. Do të bëjmë gjithçka që nevojitet që të mos shkojmë deri te destabilizimi i shtetit dhe prishja e marrëdhënieve ndëretnike”, tha Ivanov.
Ivanov shprehu keqardhje për jetët e humbura të anëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe kërkoi urtësi nga qytetarët dhe përkrahje nga liderët e partive politike dhe nga media.
“Nevojitet durim, përmbajtje, urtësi dhe është e nevojshme përkrahja e liderëve të partive politike që të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe të jenë në nivelin e pritshmërisë nga ana e qytetarëve”, tha Ivanov.
”Në fund të kësaj rruge, sipas tij, do të nevojitet edhe përkrahja e bashkësisë ndërkombëtare”, theksoi ai.
“Dialogu politik në vend ka kohë që mungon. Erdhi koha që liderët e partive politike të fillojnë të bisedojnë dhe të kërkojnë zgjidhje për krizën politike”, tha Ivanov.
Në seancën e Këshillit të Sigurisë merrnin pjesë kryetari i parlamentit, Trajko Veljanoski, kryeministri Nikolla Gruevski, ministri i Mbrojtjes dhe i Punëve të Brendshme, Zoran Jolevski dhe Gordana Jankulloska, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, Talat Xhaferi nga BDI-ja dhe Imer Aliu nga PDSH-ja.