Karantinë e detyruar në Berlin
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Gjermanisë, bën me dije se në kuadër të frenimit të përhapjes së Covid-19, do të ketë karantinim të detyrueshëm të personave që hyjnë në Berlin. Udhëtarët që mbërrijnë në Berlin në rrugë ajrore, tokësore apo detare, nga një shtet jashtë Gjermanisë, janë të detyruar që menjëherë të vetizolohen në banesën e tyre për një periudhë prej 14 ditësh.
“Këtyre personave që sapo janë karantinuar nuk u lejohet të kenë vizitorë, përveç personave që jetojnë në të njëjtën banesë. Kjo masë vlen edhe për personat që hyjnë për herë të parë nga një vend tjetër në Republikën Federale të Gjermanisë”.
Gjithashtu, personat që hyjnë në territorin gjerman janë të detyruar të kontaktojnë menjëherë autoritetin përgjegjës shëndetësor, të cilët kontrollojnë nëse kërkesat e karantinimit janë përmbushur, si dhe t’i njoftojnë ata nëse kanë simptoma të ndryshme të infektimit. Gjatë periudhës së karantinës, udhetaret do te jenë subjekt vëzhgimi nga departamenti i shëndetësisë. Gjermania pret të rihapë një pjesë e aktiviteteve dhe shkollave.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, po ashtu po planifikon të lejojë që dyqanet e vogla të rihapen javën që vjen, por do të ketë rregulla të ashpra të distancimit shoqëror. Shkollat duhet të qëndrojnë të mbyllura deri në 4 maj dhe kontrollet kufitare do të vijojnë për 20 ditë të tjera.