Kërkimet për koronavirusin, SHBA sërish akuza Kinës për vjedhje të pronës intelektuale amerikane. Të ndalë këtë veprimtari keqbërëse

Shtetet e Bashkuara akuzojnë Kinën zyrtare për vjedhje të pronës intelektuale amerikane në operacione në përgjigje të koronavirusit.

Përmes një deklarate për shtyp, Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo shkruan se Shtetet e Bashkuara dënojnë përpjekjet “e aktorëve kibernetikë dhe operatorëve jo-tradicionalë që kanë lidhje” me Kinën për vjedhjen e pronës intelektuale dhe të dhënave që lidhen me koronavirusin.

“Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Republikës Popullore të Kinës të ndalë këtë veprimtari keqbërëse. Siç thuhet në shënimin paralajmërues të 13 majit, ‘aktiviteti që mund të ketë rezultuar në vjedhje informacioni vë në rrezik identifikimin e opsioneve të mirëfillta kuruese’. Sjellja e Kinës në hapësirën kibernetike është një tjetër reflektim i veprimeve joproduktive gjatë krizës së koronavirusit. SHBA dhe aleatët e partnerët tanë po bashkërendojnë një përgjigje të përbashkët, transparente për të shpëtuar jetë. Ndërkohë Kina vazhdon t’u mbyllë gojën gazetarëve, shkencëtarëve dhe qytetarëve dhe të përhapë dizinformim, gjë që acaron krizën e shëndetit publik,” thuhet në deklaratën e Sekretarit Pompeo, të publikuar në faqen elektronike të Departamentit të Shtetit.

Të mërkurën, Byroja Federale e Hetimeve, FBI dhe Agjencia për Sigurinë Kibernetike dhe të Infrastrukturës, CISA nxorën një deklaratë të përbashkët ku tërheqin vëmendjen për ato që i cilësojnë si kërcënime ndaj operacioneve kërkimore mbi koronavirusin nga aktorë që kanë lidhje me Kinën.

SHKARKO APP