Kerry pritet nga Putin në Kremlin për operacione të përbashkëta ushtarake
“Vij këtu me shpresën se ne do të mund të arrijmë një progres real, të matshëm dhe të implementueshëm, që do të bëjë edhe diferencën mes ngjarjeve dhe zhvillimeve në Siri”, deklaroi Sekretari amerikan i Shtetit, i cili shtoi në fjalën e tij se “kërkon të zhvillojë një bisedë serioze”.
Ndërkohë, nga ajo që paraqesin mediet amerikane, Kerry ka shkuar në Moskë për të diskutuar në lidhje me një propozim kontrovers amerikan për të koordinuar me Rusinë operacionet ushtarake në Siri, në këmbim të përdorimit të forcës ajrore nga vet regjimi sirian.
SHBA-të kanë propozuar një koordinim më të ngushtë ushtarak që përfshin edhe sulmet ajrore ndaj grupeve të militantëve si Fronti al-Nusra apo Shteti Islamik, teksa kërkojnë nga Moska që në këmbim të përdorin influencën e tyre për ndaljen e forcës ushtarake siriane, gjë që ka penguar arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi duke vijuar me bombardimet e qendrave të populluara nga civilët.
Kerry shpreson që marrëveshja të mund të reduktojë dhunën në Siri pas më shumë se 5 vitesh lufte civile. Aktualisht, regjimi i Assadit zhvillon thuajse 24 sulme ajrore në ditë, sipas asaj që bën të ditur një zyrtar ushtarak amerikan.
Në një version të rrjedhur të propozimit, të siguruar nga “Washington Post”, SHBA-të ofrojnë ngritjen e një qendre të përbashkët komandimi dhe kontrolli, që do të ndihmonte në lehtësimin e oepracioneve të përbashkëta kundër ekstremistëve dhe që do të përbëhej nga oficerë ushtarakë amerikanë dhe rusë, por edhe zyrtarë të shërbimeve sekrete dhe ekspertë të ndryshëm.
/ Top Channel
KOHA JONË SONDAZH

