Këshilltari i Donald Trumpit nën hetime për një plan rrëmbimi të Fetullah Gylen
Mueller provon rolin e flynn në planin për të rrëmbyer klerikun turk
Nga Xhejms V. Grimaldi , Shane Harris dhe Aruna Visëanatha
Sipas planit të supozuar, ish-këshilltari i presidentit Trump dhe djali i tij do të paguheshin me miliona dollarë për të larguar me forcë Fethullah Gylen nga SHBA-të dhe për ta dorëzuar tek autoritetet turke.
UASHINGTON-Prokurori Special,Robert Mueller po heton një plan të dyshuar që përfshin ish-këshilltarin për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Mike Flynn, për rrëmbimin dhe largimin me forcë të një kleriku mysliman që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe sipas planit të dyshuar ai do t’i dorëzohej autoriteteve turke në këmbim të miliona dollarëve, bëjnë të ditur burime të mirëinformuar për hetimet.
Sipas propozimit të palës turke, z. Flynn dhe djali i tij, Majkëll Flynn Jr, do të paguheshin deri në 15 milionë dollarë për të dorëzuar Fethullah Gylenin tek autoritetet turke, bëjnë të ditur burime që janë në dijeni të diskutimeve që z. Flynn ka patur me përfaqësuesit e palës turke. Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajjip Erdogan, kërkon me këmbëngulje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të ekstradojnë klerikun mysliman, të cilin ai e konsideron si armikun e tij kryesor politik.
Agjentët e Byrojsë Federale të Hetimeve kanë pyetur të paktën katër persona për një takim të zhvilluar në mesin e muajit dhjetor në ambientet e lokalit “21” në Nju Jork, ku z. Flynn dhe përfaqësuesit e qeverisë turke kanë disktuar për dorëzimin e z. Gylen, theksojnë burime që janë në dijeni të hetimeve të FBI-së. Diskutimet thuhet se përfshinin dhe mundësinë e transportimit e z. Gylen me një avion privat në burgun Imrali, në një ishull të Turqisë, thekson një burim që ka kontaktuar me FBI-në.
“Wall Street Journal” ka raportuar dhe më herët për përpjekjet e zyrtarëve turq për të çuar z. Gylen në Turqi duke shmangur procesin ligjor të ekstradimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një përpjekje që përfshinte një takim të mëparshëm me z. Flynn në shtator të vitit 2016.
Hetimet po kryhen nga z. Mueller dhe janë pjesë e hetimeve ndaj këshilltarëve të fushatës së z. Trump dhe ndërhyrjeve ruse në zgjedhjet e vitit 2016, bëjnë të ditur burime që janë në dijeni të hetimeve.
Një zëdhënës i z. Mueller nuk pranoi të bëjë komente.
Persona që janë në dijen të planit dhe propozimit të dyshuar, thanë se nuk morën pjesë në takimin e dhjetorit dhe nuk kishin dijeni informacione nga z. Flynn ose bashkëpunëtorët e tij për detajet e planit. Nuk është e qartë se deri në çfarë niveli kanë avancuar hetimet e zotit Mueller për planin e dyshuar për dorëzimin e z. Gylen, dhe nuk ka ndonjë indicie për pagesa të kryera nga pala turke, theksojnë burime që janë dijeni për diskutimet dhe hetimet e FBI-së.
Por, hetuesit federalë janë fokusuar kryesisht në rolin e z. Flynn dhe nëse ai ka ndjekur mënyra të paligjshme për të rrëmbyer dhe dorëzuar forcërisht z. Gylen dhe kjo tregon se ish-këshilltari i z. Trump po përballet me një hetim tjetër që ka të bëjë me punën e tij në emër të interesave të qeverisë turke, para dhe pas zgjedhjeve presidenciale.
Një avokat i z. Flynn nuk pranoi të bëjë komente. Dhe avokati i z. Flynn Junior nuk pranoi të bënte komente.
Para se të bëhej pjesë e administratës Trump si Këshilltar i Presidentit për Sigurinë Kombëtare, z. Flynn po lobonte në emër të interesave turke në SHBA, përfshirë edhe çështjen Gylen. Ai nuk e bëri të ditur këtë angazhim të tij deri në mars të këtij viti, kur u detyrua të largohej nga Shtëpia e Bardhë, pasi kishte fshehur faktet dhe kishe mashtruar Zëvendëspresidentin, Mike Pence dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Shtëpisë së Bardhë për takimet dhe bisedat me ambasadorin rus në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Z. Flynn shërbeu si Këshilltar për Sigurinë Kombëtare për vetëm 24 ditë.
- Flynn po përballet me hetimet ushtarake, hetimet e kongresit dhe kriminale dhe akuzohet se në shkelje të ligjeve ka fshehur lidhjet e tij financiare me Turqinë dhe Rusinë dhe po hetohet nëse lidhjet e tij kanë patur ndonjë rol në vendimet e tij si këshilltari i presidentit, theksonte një shkrim i Wall Street Journal.
Një person që është në dijeni të diskutimeve të dyshuara për z. Gylen, tha se zoti Flynn ishte përgatitur dhe do të përdorte ndikimin e tij në Shtëpinë e Bardhë për të ndjekur procedurat ligjore për ekstradimin e klerikut që jeton në Pensilvani.
Turqia kërkon me insistim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të ekstradojë, Fethullah Gylen, i cili jeton në një kompleks në Saylorsburg të Pensilvanisë.
Mos ekstradimi i zotit Gylen, ishte një mollë sherri në marrëdhëniet amerikano-turke gjatë administratës së presidentit Obama dhe zyrtarët turq kërkuan ekstradimin e Gulenit për t’u përballuar me akuzat. Qeveria e zotit Erdogan ka akuzuar klerikun për orkestrimin e tentativës së grushtit të shtetit dhe e quan atë dhe mbështetësit e tij grup terrorist. Ndërkohë, z. Gylenka mohon kategorikisht të dy akuzat në adresë të tij dhe mbështetësve të tij.
Takimi i dyshuar në Nju Jork në dhjetor të vitit të kaluar, menjëherë pas emërimit të z. Flynn në postin e Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare, ishte vazhdimi i një diskutimi të mëhershëm, të zhvilluar më 19 shtator, ku zyrtarët turq fillimisht ngritën mundësinë e largimit me forcë të zotit Gylen. Takimi i shtatorit, i zhvilluar në një hotel dhe ku pjesë e takimit ishte dhe ish-drejtori i CIA-s, James Ëoolsey, është raportuar më parë nga Wall Street Journal.
Rrëmbimi dhe dëbimi me forcë i z. Gylen u diskutua si “një hap i fshehtë në errësirën e natës për të larguar zotërinë”, theksonte z. Woolsey, i cili tha se ai mori pjesë në takim me kërkesë të një prej bashkëpunëtorëve të biznesit të z. Flynn.
Të pranishëm në takimin e shtatorit ishin dhe dhëndrri i zotit Erdogan dhe Ministri i Jashtëm i Turqisë, tregojnë dokumentet e lobimit të zbuluara më vonë. Ambasada turke më herët ka pranuar se zyrtarët turq u takuan me z. Flynn, por nuk pranuan të komentonin temat e diskutuara në takim.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë ia adresoi të gjitha pyetjet një zëdhënësi për procesin e tranzicionit të presidentit Trump.
“Ne kemi asnjë informacion nëse ka ndodhur apo jo një takim i tillë”, tha zëdhënësi, duke iu referuar takimit të dhjetorit. “Dhe nëse kjo ka ndodhur, mund të ketë ndodhur gjatë periudhës së tranzicioni”.
Në atë kohë plani ishte diskutuar dhe Turqia kishte disa muaj që po lobonte tek zyrtarët e administratës së presidentit Obama për të dorëzur z. Gylen tek autoritetet turk dhe qeveria turke donte të shmangte procesin ligjor për ekstradimin e tij, thekson një ish zyrtari që ka njohuri të drejtpërdrejta për diskutimet mes palës turke dhe asaj amerikane. Administrata e Obamës ka kundërshtuar kërkesat e vazhdueshme të autoriteteve turke, theksoi zyrtari.
Ndërsa tek z. Flynn, turqit gjetën një person më të përshtatshëm. Z. Flynn botoi një editorial të publikur tek “The Hill” ditën e zgjedhjeve presidenciale në të cilën ai vlerësoi qeverinë e Erdoganit dhe e quajti klerikun “një mullah të dyshimtë” dhe “radikal”, i cili mund të jetë duke ngritur një rrjet “terrorist” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Nuk duhet t’i garantojmë qëndrim të sigurtë”, shkroi z. Flynn.
- Woolsey tha se ai e informoi qeverinë e SHBA-ve për takimin e shtatorit duke njoftuar nënpresidentin Joe Biden përmes një miku të tyre të përbashkët.
Miku i përbashkët i konfirmoi gazetës se i tha z. Biden për takimin. Zëdhënësja e z. Biden nuk pranoi të komentojë mbi këtë çështje, përveçse të thoshte se zoti Biden ishte i mendimit se çështja e z. Gylen duhet të trajtohet nga gjykata.
- Woolsey, i cili shërbeu për pak kohë si këshilltar i fushatës së z. Trump, tha se ai hodhi poshtë një ofertë konsulence nga kompania e z. Flynn për shkak të asaj që dëgjoi në takim.
Të dhënat federale tregojnë se kompania, Flynn Intel Group, është paguar 530,000 dollarë për advokimit që “mund të interpretohet se ka përfituar kryesisht nga Turqia”.
Hetuesit federalë aktualisht janë duke investiguar nëse puna e zotit Flynn për llogari të Turqisë ka shkelur “Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj”, i cili imponon një transparencë të plotë në rastet kur ata veprojnë dhe lobojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në emër të fuqive të huaja, theksojnë burime që kanë informacion për hetimet.
Referuar akuzave federale të bëra publike muajin e kaluar, ish-menaxheri i fushatës së zotit Trump, Paul Manafort, akuzohet nga hetuesi i posaçëm për shkelje që rrjedhin nga puna e tij për qeverinë e mëparshme të Ukrainës, duke mos njoftuar autoritetet e SHBA-ve në përputhje me rregullat. Avokati i zotit Manafort ka kërkuar pafajësinë e klientit të tij.
“Wall Stret Journal” raportoi në muajin mars se z. Flynn kishte kërkuar imunitet nga hetuesit, të cilët po investigojnë ndërhyrjet e Rusisë në zgjedhjet presidenciale dhe në këmbim të imuniteti ai do të dëshmonte para hetuesve. Avokati i z. Flynn, Robert Kelner, në atë kohë nuk pranoi të komentonte detajet e diskutimeve që përfshinin z. Flynn, por tha se: “Gjenerali Flynn me siguri ka një histori për të treguar dhe ai dëshiron shumë që të tregojë nëse rrethanat lejojnë një gjë të tillë”.
Flynn, i cili u shkarkua në vitin 2014 nga posti i Drejtorit të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes, është një figurë qendrore në hetimet e Prokurorit të Posaçëm, i cili po shqyrton faktet nëse drejtuesit e fushatës së presidentit Trump apo bashkëpunëtorët e bizneseve të tij janë koordinuar me qeverinë ruse në përpjekjet e saj për të vjedhur e-mailet private të grupimeve politike dhe fushatat e tyre dhe publikimin e tyre. Kontaktet e z. Flynn me ambasadorin e atëhershëm rus në Shtetet e Bashkuara të Amerkës, Sergey Kislyak, janë pjesë e këtij hetimi, theksojnë burime që kanë njohuri për hetimet.
Presidenti Trump ka mohuar lidhjet e fushatës së tij me Rusinë. Rusët ndërkohë vazhdimisht kanë mohuar ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
KOHA JONË SONDAZH

