Këto prej dheu janë shtëpitë e së ardhmes
Në Marok, një startup po ndërton shtëpi duke përdorur një material që gjendet kudo: dheun.
Eco-dôme Maroc u themelua në vitin 2016. Ajo zbaton traditat lokale në teknologjinë moderne për të ndërtuar ndërtesa në formë të lezetshme, për të cilat thotë se janë më të lira, më të qëndrueshme për mjedisin dhe më efikase ndaj energjisë, sesa shtëpitë e zakonshme prej betoni.
Themeluesi Youness Ouazri thotë se ai zbuloi ‘një traditë të ndërtimit prej dheu’ të përdorur nga brezat e mëparshëm ndërsa po udhëtonte nëpër vend.
“Ne thjesht morëm këtë njohuri ekzistuese dhe i përshtatëm ato me teknologjitë moderne për të dalë me një koncept që është miqësor ndaj mjedisit, me kosto efektive dhe shumë i shpejtë për t’u zbatuar,” tha ai për CNN.
Çdo shtëpi që ndërton Eco-Dome është unike. Pasi kompania të marrë një porosi, hapi i parë është të analizojë përbërjen e tokës për të përcaktuar përshtatshmërinë e saj për ndërtim.
Sasi të vogla gëlqereje ose çimentoje mund të shtohen për performancë optimale dhe përdoren modele të simulimit termik për të përcaktuar trashësinë ideale të mureve të kupolës, në mënyrë që të thithë nxehtësinë gjatë verës dhe ta lëshojë atë gjatë dimrit. Kjo do të thotë se ndërtesa do të përdorë sa më pak energji të jetë e mundur për ngrohje dhe ftohje – ndonjëherë aspak, thotë Ouazri, inxhinier.