Kiev–Uashington rifillojnë negociatat, Berlini: Mund të vendosin fatin e paqes
Negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë kanë hyrë në fazën më serioze deri më tani. Kështu është shprehur ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, duke theksuar se ditët në vijim do të jenë vendimtare për të kuptuar nëse përpjekjet diplomatike do të japin rezultate konkrete.
“Negociatat nuk kanë qenë kurrë kaq serioze sa janë tani. Për të vlerësuar nëse do të jenë të suksesshme, duhet të presim deri në fund të javës. Çdo përpjekje ia vlen në këtë moment historik për t’i dhënë fund këtyre vdekjeve të tmerrshme dhe kësaj lufte,” deklaroi Wadephul për radion publike gjermane. Ai shtoi se mbetet ende e paqartë nëse presidenti rus Vladimir Putin ka një vullnet real për përfundimin e konfliktit.
Në të njëjtën kohë, bisedimet mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara kanë rifilluar në Berlin. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po zhvillon takime me negociatorët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, pas një raundi të parë negociatash që zgjati rreth pesë orë një ditë më parë. Sipas burimeve qeveritare, diskutimet po mbahen në Kancelarinë Federale dhe fokusohen kryesisht në mundësinë e arritjes së një armëpushimi.
Një zëdhënës i qeverisë gjermane konfirmoi se Witkoff dhe Kushner janë ftuar gjithashtu në një darkë pune me presidentin Zelensky dhe disa liderë evropianë, me qëllim koordinimin e qëndrimeve dhe hapave të mëtejshëm diplomatikë.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian po shqyrton dy opsione për financimin e Ukrainës në dy vitet e ardhshme: një kredi të përbashkët të mbështetur në hapësirën fiskale të vendeve anëtare ose përdorimin e aseteve sovrane ruse të ngrira brenda BE-së. Komisioni Evropian ka paraqitur gjashtë akte ligjore për të përshpejtuar procedurat, ndërsa disa shtete anëtare kërkojnë alternativa më pak të rrezikshme.
Nga ana tjetër, Turqia ka rikonfirmuar gatishmërinë për të ndërmjetësuar bisedimet e paqes. Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, deklaroi se Stambolli mbetet i hapur për të shërbyer si “tryezë paqeje” mes Rusisë dhe Ukrainës, duke theksuar se një paqe e drejtë nuk ka humbës.
Berlini po shndërrohet kështu në qendrën kryesore të diplomacisë ndërkombëtare për Ukrainën, ndërsa vëmendja është e përqendruar te zhvillimet e ditëve në vijim, të cilat mund të përcaktojnë fatin e negociatave.
KOHA JONË SONDAZH

