Kinë/Pandemia globale, qielli blu është i vetmi fitimtar (FOTO)
Pandemia e shkaktuar nga koronavirusi po shkakton prej javësh frikë dhe vdekje në çdo kontinent, si dhe një tkurrje dramatike të ekonomisë botërore por ka përcjellë edhe një aspekt të papritur mjedisor. Si rrallëherë në dekadat e fundit, banorët e Wuhanit dhe provincës së Hubeit, të parat e goditura nga COVID-19, mund të shijojnë, përtej lirisë nga karantina e detyruar, edhe një qiell blu të kthjellët, që ndoshta nuk kishin përjetuar kurrë.
Sipas ministrisë kineze së Mjedisit por edhe nga vrojtimet e amerikanes NASA, ka patur një rritje me 25% të ditëve me ajër të pastër. Arsyeja? Bllokimi i zinxhirit industrial në atë provincë dhe jo vetëm, ka shkaktuar uljen me të paktën 25% të gazrave me dioksid nitrogjeni dhe dioksid karboni.
Ky i fundit, i prodhuar më së shumti nga përdorimi i qymyrit që furnizon ende pjesën më të madhe të industrisë kineze, sipas përllogaritjeve ka rënësi sasi me 200 milion tonelata vetëm në një muaj. Pak a shumë, gjysma e prodhimit vjetor të Britanisë së Madhe.
Kjo rënie dramatike e konsumit industrial, së bashku me reduktimin me 70% të fluturimeve të brendshme dhe të përdorimit të karburanteve për automjetet, ka shkaktuar atë që për ekspertët duket si “ndryshimi mjedisor më i shpejtë dhe radikal i përjetuar ndonjëherë”. Ka shumë ambientalistë që paralajmërojnë se e grija tradicionale e qyteteve kineze mund të kthehet së shpejti.