Kizhevak, Serbi: Si u gjetën mbetjet mortore që dyshohet se janë të shqiptarëve të Kosovës
Kur Ivica Daçiç, kryetari aktual i parlamentit të Serbisë, atëherë ministër i Jashtëm, bëhej nervoz për informacionet që jepeshin për varreza masive në Serbi, dukej pak dritë në fund të tunelit, për gjetjen e më shumë se një mijë shqiptarëve të Kosovës që ende figurojnë të zhdukur.
Daçiç do të deklaronte në një debat televiziv në emisionin “Cirilica” në “Tv Happy” se nuk dinte çfarë të bënte me serbët të cilët po tregojnë se ku janë të varrosur shqiptarët në të gjithë Serbinë.
“Lëreni ju amerikanët, gjermanët, turqit, çfarë të bëjmë ne me serbët? Që ju tregojnë shqiptarëve, kroatëve, e flasin lloj lloj budallallëqesh të ndryshme, e ju tregojnë se ku janë varrosur shqiptarët në gjithë Serbinë”, ka thënë ai.
Zyrtari i lartë serb do të deklaronte se se disa serbë po bashkëpunojnë me shqiptarët, pasi sipas tij nuk ka mundësi që dokumente sekrete në të cilat flitet për krimet e luftës dhe u realizuan nga shërbimi serb BIA, të bien në duart e njerëzve të UÇK-së.
“Tani jua them, shikoni atë misionin e Vlejko Odaloviç për gjetjen e personave të humbur, që pak nga pak shkojnë e hulumtojnë disa lokacione, të cilat i raportojnë disa spiunë të caktuar. E disa njerëz nga prokuroria jonë, prokuroria e krimeve të luftës bashkëpunojnë me shqiptarët. Si ka mundësi që dokumentet nga shërbimet tona, nuk e di nëse është prokuroria, të përfundojnë në duart e UÇK’së”, ka thënë Daçiç.
Dhe koha ka provuar se e vërteta e hidhur dhe e dhimbshme për shqiptarët është aty, në Serbi. Pas 5 vjetësh përpjekje, më në fund është konfirmuar se në zonën e ish-minierës së Kizhevakut, pranë Rashkës në Serbi janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se janë të shqiptarëve të Kosovës.
Gërxhaliu jep hollësi për thellësinë në të cilën janë gjetur mbetjet mortore, 4 metra thellë nën tokë.
“Janë gjetur në katër metra thellësi”, thotë ai. Çfarë do të ndodhë tani, si do të vazhdojë puna për të kthyer në atdhe eshtrat e shqiptarëve që jo vetëm u vranë e u masakruan, por edhe u transportuan në Serbi, për të fshehur gjurmët e krimit.
“Derisa të bindemi që nuk ka më mbetje mortore mund të kallëzojmë numrin e saktë”, shprehet Gërxhaliu.
Kizhevak ishte një vendndodhje e njohur që nga viti 2015 dhe aty ishin bërë kërkime edhe më parë. Tani, gjykatësi dhe moti do të përcaktojnë sesi do të vazhdojë puna.
“Edhe inicimi i këtij rasti, por edhe raste të tjera janë trajtuar përmes kërkesave zyrtare për perosnat e zhdukur”, thotë Kushtrim Gara.
Komisioni qeveritar i Kosovës për personat e zhdukur është pjesë shumë e rëndësishme e procesit dhe kanë qenë të pranishëm në gërmimet në Kizhevak.
Por si u zbulua Kizhevaku. Kush ndihmoi me imazhet satelitore që provonin lëvizje të panatyrshme të dheut atje, pranë një miniere të braktisur.
“Ne i kërkojmë në kuadër të grupit bisedues. Kemi arritur të lokalizojmë vendin. Është dashur të kryhet shumë punë”, shprehet Gërxhaliu.
Burime ndërkombëtare thonë për Abc se një koordinator i EULEX-it ka qenë gjithashtu në Kizhevac dhe imazhet ajrore janë analizuar nga një ekspert i tyre. Procesi i zhvarrimit dhe identifikimit pritet të zgjasë me muaj.
Kosova vazhdon të ketë 1,643 persona të zhdukur, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë që nga koha e luftës.
/abcnews.al