Kremlini shtrëngon kontrollin: Snapchat jashtë loje, FaceTime kufizohet

Autoritetet ruse kanë bllokuar aksesin në rrjetin social Snapchat dhe kanë vendosur kufizime ndaj shërbimit të thirrjeve video të Apple, FaceTime, në kuadër të një fushate të re për të shtuar kontrollin e shtetit mbi internetin dhe komunikimet online.

Rregullatori shtetëror i internetit, Roskomnadzor, deklaroi se të dy aplikacionet po përdoren për “organizimin dhe kryerjen e aktiviteteve terroriste, rekrutimin e autorëve dhe kryerjen e mashtrimeve e krimeve të tjera kundër qytetarëve”. As Apple dhe as Snap Inc. nuk kanë komentuar mbi vendimin.

Sipas The Guardian, Roskomnadzor njoftoi se bllokimi i Snapchat është marrë më 10 tetor, por u bë publik vetëm javën e kaluar. Kjo masë pason kufizimet e mëparshme të vendosura ndaj YouTube, WhatsApp, Instagram dhe Telegram, të cilat u rritën ndjeshëm pas pushtimit të Ukrainës nga Putin në vitin 2022.

Swiss Digital Desktop Reklama

Nën udhëheqjen e Vladimir Putinit, autoritetet ruse kanë ndërmarrë një fushatë të gjerë për frenimin e internetit të lirë, duke miratuar ligje të reja kufizuese dhe duke ndaluar platformat që refuzojnë të zbatojnë kërkesat e qeverisë. Teknologjia po shfrytëzohet gjithashtu për monitorim dhe manipulim të trafikut online.

Swiss Digital Mobile Reklama

Bllokimi i YouTube një vit më parë u konsiderua gjithashtu një akt i qëllimshëm i autoriteteve, të cilat fajësuan Google për “mosmirëmbajtje” të pajisjeve të saj në territorin rus.

Edhe pse një pjesë e këtyre kufizimeve mund të anashkalohen me VPN, autoritetet ruse i bllokojnë ato rregullisht. Qeveria ka ndërprerë madje edhe aksesin në internetin celular në zona të caktuara për të penguar sulmet me dronë nga Ukraina. Ekspertët paralajmërojnë se masat e reja po shtrëngojnë kontrollin e shtetit mbi hapësirën digjitale.

Përveç Snapchat dhe FaceTime, Rusia ka ndaluar edhe platforma të tjera mesazhesh si Signal dhe Viber në vitin 2024, si dhe WhatsApp e Telegram më herët këtë vit. Ndërkohë, autoritetet promovojnë një aplikacion kombëtar komunikimi, Max, i kritikuar gjerësisht si mjet mbikëqyrjeje për shkak të ndarjes së të dhënave të përdoruesve me qeverinë dhe mungesës së enkriptimit të plotë.

Së fundmi, qeveria njoftoi edhe bllokimin e platformës së popullarizuar të lojërave Roblox, duke e justifikuar masën me nevojën për mbrojtjen e fëmijëve nga përmbajtja e paligjshme dhe rreziku i pedofilisë. Roblox kishte rreth 8 milionë përdorues mujorë në tetor.

Eksperti i sigurisë kibernetike, Stanislav Seleznev, shpjegoi se ligji rus e klasifikon çdo platformë mesazhesh si “organizatore të shpërndarjes së informacionit”, duke kërkuar nga to të regjistrohen te Roskomnadzor dhe t’i ofrojnë FSB-së akses në të dhënat e përdoruesve. Ai vuri në dukje se dhjetëra milionë rusë përdornin FaceTime pas bllokimit të WhatsApp dhe Telegram, ndërsa e quajti lëvizjen e qeverisë “të parashikueshme”, duke paralajmëruar se çdo platformë që nuk bashkëpunon “do të bllokohet  kjo është e qartë”.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?