Kreta shndërrohet në pikë kyçe të emigracionit në Mesdheun Lindor

Fluksi i emigrantëve drejt ishullit të Kretës vijon pa u ndalur, duke ushtruar presion të vazhdueshëm mbi autoritetet greke dhe strukturat e pritjes. Vetëm gjatë mëngjesit të sotëm, Roja Bregdetare Greke ka kryer dy operacione të reja shpëtimi, pas lokalizimit të dy gomoneve me gjithsej 61 emigrantë në det të hapur, në jug të ishullit të Gavdos. Në operacionet e shpëtimit morën pjesë edhe forcat e FRONTEX-it, të cilat ndihmuan në nxjerrjen e sigurt të të gjithë personave në breg.

Emigrantët pritet të transportohen drejt portit të Paleohorës në rajonin e Hanias dhe më pas në kampin e përkohshëm të pritjes në Agia. Ky kamp ishte mbushur vetëm një ditë më parë me mbi 550 persona, pas një serie operacionesh shpëtimi të njëpasnjëshme gjatë ditëve të fundit.

Mbërritjet në jug të Kretës dhe në Gavdos janë shndërruar në një fenomen pothuajse të përditshëm. Autoritetet greke raportojnë për një situatë nën presion konstant, me dhjetëra gomone që nisen nga brigjet e Libisë dhe arrijnë në ujërat greke, shpesh në kushte tepër të rrezikshme për jetën.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sipas mediave greke, vetëm gjatë këtij viti mbi 19 mijë emigrantë kanë mbërritur në Kretë, duke e kthyer ishullin në një nga pikat kryesore të një rruge të re migratore në Mesdheun Lindor. Shumica e emigrantëve janë burra nga Bangladeshi, Egjipti dhe Pakistani, por mes tyre ka edhe familje, gra dhe fëmijë. Së fundmi, pamje nga Ierapetra treguan një foshnje vetëm 25-ditëshe nga Sudani, e cila u transportua në spital për kontrolle shëndetësore.

Swiss Digital Mobile Reklama

Autoritetet po përpiqen të çlirojnë kampet e përkohshme të pritjes në Kretë, duke organizuar transferimin e qindra emigrantëve drejt strukturave në ishuj të tjerë grekë. Vetëm në operacionet e fundit, rreth 400 persona janë larguar nga ishulli me mjete të Rojës Bregdetare.

Ndërkohë, janë zbuluar edhe rrjete të organizuara trafikantësh. Pak ditë më parë, mbi 500 emigrantë u shpëtuan nga një anije peshkimi, ndërsa pesë shtetas egjiptianë u arrestuan si të dyshuar për trafikim të qenieve njerëzore. Sipas dëshmive, emigrantët kishin paguar deri në 5 mijë dollarë për person për këtë udhëtim të rrezikshëm.

Vala migratore nga Libia drejt Kretës vijon të testojë kapacitetet dhe qëndrueshmërinë e ishullit, ndërsa Athina paralajmëron se menaxhimi i flukseve dhe kthimi i atyre që nuk përfitojnë azil do të mbeten përparësi kryesore

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?