Kreu i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi infektohet me koronavirus
Kreu i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi u shtrua në spital për trajtim të koronavirusit, bëri të ditur Kisha.
Mitropoliti Amfilohije, 82 vjeç, ndodhet në Qendrën Klinike në Podgoricë.
Ai i kaloi ditët e fundit në izolim në shtëpi, nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore, thuhet në njoftimin e Kishës, të cilin e transmetojnë mediat serbe.
Mitropoliti Amfilohije thuhet se do të qëndrojë në spital për sa kohë që zgjat infeksioni.
Sipas njoftimit, ai ndihet mirë dhe mjekët e vlerësuan situatën e tij si të qëndrueshme.
“Iu bëjmë thirrje vëllezërve dhe motrave që të luten plot besim dhe dashuri, si për shërimin e shpejtë të mitropolitit, ashtu edhe për shëndetin dhe përparimin e të gjithë të sëmurëve”, thuhet në deklaratën e Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi.
Mali i Zi është ndër vendet më të prekura nga koronavirusi në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Autoritetet atje kanë konfirmuar mbi 12,500 raste të të infektuarve me koronavirus dhe 188 viktima.
Raste aktive aktualisht janë 3,839.