Krishtlindje të blinduara në Itali, mbi 70 mijë trupa policore do patrullojnë në rrugë
Plot 70 mijë trupa policore do të aktivizohen të patrullojnë rrugët e qyteteve italiane gjatë ditëve të festave të fundvitit.
Do të jetë një Krishtlindje e një Vit i Ri i blinduar për të garantuar distancimin social e respektimin e rregullave te fundit anti Covid të aprovuara nga qeveria Conte.
Ministrja e Brendshme italiane Luciana Lamorgese ka deklaruar se “është hartuar një plan i veçantë monitorimi nëpër rrugët italiane , me rreth 70 mijë policë në territor, të cilët do të kenë nën vëmendje dyqanet, qendrat tregtare, aktivitetet tregtare për të evituar që tradita e blerjeve të dhuratave të fundivitit të shndërrohet në një burim zinxhiri infektimi”.
Patrullat policore në rrugët e qyteteve italiane do të vëzhgojnë respektimin e numrit të limituar të personave që lejohen të hyjnë në një aktivitet tregtar si dhe të ndalojnë grumbullimet e njerëzve në lokale, rrugë e qëndra tregtare.
Prej ditës së sotme në territorin italian nuk ka më asnjë zonë të ashtë quajtur e kuqe ku rreziku i infektimint është mjaft i lartë.
I gjithë vendi është ndarë në zona të verdha dhe në zona portokalli, ku masat kundër pandemisë varen nga niveli i infektimit tek popullsia.
Dekreti i fundit i masave anticovid të marra nga qeveria italiane lejon që aktivitete tregtare të qëndrojnë hapur deri në ora 21 të mbrëmjes si në zonat e verdha dhe në ato portokalli, ndërsa lokalet e restorantet do të jenë hapur deri në ora 18:00 vetëm në territoret e zonës së verdhë, ndërsa në atë portokalli do të jenë të mbylluar e do të punojnë vetëm për shërbim transporti.
Eleminimi i regjimit të lockdown në zonat e kuqe ka bërë që mbi 70 mijë lokale e bare të rinisin aktivitetin e tyre.
Në 24 orët e fundit Italia ka regjistruar 564 viktima e mbi 21 mijë të infektuar.
Deri më sot pandemia ka shkaktuar në Itali mbi 60 mijë viktima e mbi 1 milionë e 700 mijë të infektuar.