Kriza, Maqedonia firmos marrëveshjen: Zgjedhje më 24 prill 2016

 

Lideri i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, pas përfundimit të takimit të liderëve kryesorë politikë të vendit, ku u finalizua Marrëveshja e Përzhinos, shprehu kënaqësi që bisedimet përfunduan me sukses.

”Është shumë i rëndësishëm fakti që zgjedhjet nuk do të shtyhen dhe të zhvillohen më 24 prill të vitit të ardhshëm”, deklaroi Gruevski.

Sipas tij, qëllimi kryesor i VMRO-DPMNE-së është arritur dhe qytetarët do të kenë mundësi ta thonë fjalën e tyre.

“Ne besojmë te populli. Ne besojmë në vendimet e tij”, theksoi Gruevski.

Për emrat e dakorduar për ministra dhe zëvendësministra nga radhët e LSDM-së, kryeministri Gruevski tha se është karakteristike se bëhet fjalë për emra të theksuar partiakë, që sipas tij është mirë për shkak se kështu do të ndërmarrin përgjegjësi politike.

“Ajo që është karakteristike për emrat është se bëhet fjalë për emra të theksuar partiakë dhe mendojnë se kjo është mirë. Populli le të shohë se kush si punon e le të bëjë dallim”, tha ai.

Për realizimin e fazave të ardhshme të zbatimit të Marrëveshjes së Përzhinos, kryeministri Gruevski tha se nga ana e tyre gjithçka që është dakorduar do të respektohet.

SHKARKO APP