Kroacia kompenson viktimat e përdhunimit të luftës ’91-’95

Parlamenti kroat ka miratuar një ligj të ri gjatë së premtes, nëpërmjet të cilit u sigurohet kompensimi financiar viktimave të përdhunimit gjatë luftës për pavarësi nga Jugosllavia, të viteve 1991-’95.

Viktimat, numri i saktë i të cilave mbetet ende i paqartë, do të marrin një pagesë të vetme prej 100 mijë kuna (14 mijë e 500 dollarë), si dhe një pagesë mujore prej 2500 kuna. Ato do të kenë gjithashtu të drejtë për këshillim falas, ndihmë ligjore dhe mjekësore sërish falas.

-“Një legjislacion i tillë është i rrallë në botë, si dhe është i pari i këtij lloji në rajonin e Ballkanit, ku viktimat do të marrin një kompensim financiar dinjitoz”, tha ministri i Veteranëve të Luftës, Fred Matiç, përpara ligjvënësve kroatë.

Ligji, i cili do të hyjë në fuqi nga janari i ardhshëm, është votuar nga 86 deputetë, ndërkohë që 3 të tjerë kanë abstenuar. Kroacia fitoi pavarësinë në vitin 1991, por pavarësisht kësaj iu desh të luftonte edhe me minoritetin rebel serb, të mbështetur nga ushtria jugosllave, e cila kundërshtonte pavarësinë e saj.

Në vitin 2008, Këshilli i Sigurisë i Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë, sipas së cilës përdhunimi dhe forma të tjera të dhunës seksuale do të përbënin krime lufte, pas raporteve për përdhunime masive në fqinjin e Kroacisë, Bosnje-Hercegovina, si dhe në Ruanda.

-“Ky ligj do të jetë një model për të gjitha vendet e tjera në luftë, të cilat do të duhet të përballen me këtë çështje në të ardhmen, ndaj dhe mund të mësojnë prej Kroacisë”, tha Marija Sliskoviç, themeluese e grupit “Gratë në Luftën Atdhetare”.

SHKARKO APP