Kroacia “rrëzon” Vuçiçin: Po keqinterpreton qëllimisht ujdinë me Shqipërinë e Kosovën!
Shqetësimet e përsëritura të presidentit serb Aleksandar Vučić mbi marrëveshjen e sigurisë mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës nuk kanë gjetur mbështetje në Zagreb. Autoritetet kroate i kanë hedhur poshtë interpretimet e Beogradit, duke i cilësuar ato si të qëllimshme dhe të pasakta.
Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë ka reaguar zyrtarisht, duke sqaruar se marrëveshja trepalëshe nuk ka karakter ushtarak apo ofensiv. Sipas ministrit Ivan Anušić, dokumenti synon forcimin e bashkëpunimit teknik, shkëmbimin e ekspertizës dhe koordinimin në fushën e industrisë së mbrojtjes, me fokus të qartë në stabilitetin rajonal.
Në deklaratën e saj, ministria kroate ka rikujtuar gjithashtu marrëveshjen e vitit 2010 mes Serbisë dhe Kroacisë, duke theksuar se ajo është më e detajuar dhe më gjithëpërfshirëse sesa iniciativa aktuale trepalëshe. Sipas Zagrebit, fakti që kjo marrëveshje nuk përmendet nga Aleksandar Vučić tregon një qasje selektive në interpretimin e realitetit.
Zyrtarët kroatë kanë nënvizuar se bashkëpunimi me Shqipërinë dhe Kosovën është i orientuar drejt mbështetjes së integrimit të tyre në strukturat euroatlantike, duke përfshirë NATO dhe Bashkimi Evropian.
Kroacia, si vend anëtar i këtyre organizatave, ka theksuar se ndjek një politikë të jashtme të pavarur dhe të përgjegjshme, duke mbetur e përkushtuar ndaj transparencës dhe bashkëpunimit rajonal.
Sa i përket deklaratave të fundit të presidentit serb për rritjen e kapaciteteve ushtarake të vendit të tij, ministri Ivan Anušić është shprehur se Kroacia nuk ndjen shqetësim për këto paralajmërime.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka bërë të ditur se marrëveshja trepalëshe është plotësisht transparente dhe e aksesueshme për publikun në faqen zyrtare të institucionit. Nga ana tjetër, NATO i ka bërë thirrje Serbisë që të veprojë me përgjegjësi në raport me aleancën dhe vendet fqinje, në funksion të ruajtjes së stabilitetit në rajon.
KOHA JONË SONDAZH

