Kryeministri britanik nën hetim, publikoi video pa rrip sigurimi

Policia e Lancashire në Mbretërinë e Bashkuar po heton kryeministrin Rishi Sunak, pasi ai u filmua duke mos vendosur rripin e sigurimit, ndërsa ishte pasagjer në një makinë në lëvizje.

Kryeministri ka kërkuar falje për incidentin, duke thënë se ishte një gabim që hoqi rripin e sigurimit për të filmuar një video në rrjetet sociale.

Në videon, e cila zgjati rreth një minutë, Sunak të shihet duke iu drejtuar kamerës, ndërsa makina e tij shoqërohet me motoçikletat e policisë që shfaqen shkurtimisht në sfond.

Mosvendosja e rripit të sigurimit në Angli sjell një gjobë maksimale prej 500 paund.

Por ka disa përjashtime, si në rastet kur një makinë përdoret për shërbime policie, zjarrfikëse dhe shpëtimi, dhe për çështje të certifikuara mjekësore.

Pasagjerët e kapur duke mos vendosur rripin e sigurimit kur është i disponueshëm mund të gjobiten në vend me 100 paund dhe kur çështja shkon në gjykatë, gjoba mund të rritet në 500 paund.

Qeveria ka forcuar rregullat e rripit të sigurimit për shkak se shifrat e fundit të Departamentit të Transportit, treguan se rreth 30% e njerëzve të vrarë në makina në rrugë në vitin 2021 nuk e kishin vënë atë.

SHKARKO APP