Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu: Izraeli kontrollon tashmë 60% të Rripit të Gazës
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se forcat izraelite kanë zgjeruar kontrollin e tyre në më shumë se gjysmën e territorit të Rripit të Gazës.
Sipas zyrës së tij, Netanyahu tha pas mbledhjes së kabinetit në Jeruzalem se Izraeli tashmë kontrollon rreth 60% të Gazës dhe se grupi militant Hamas ndodhet “nën presion të fortë”.
“Ne e dimë saktësisht cili është misioni ynë: të sigurojmë që Gaza të mos përbëjë më kurrë kërcënim për Izraelin”, citohet të ketë thënë ai, duke lavdëruar edhe ushtarët izraelitë.
Javën e kaluar, gazeta izraelite “Israel Hayom” raportoi, duke cituar një diplomat të lartë perëndimor, se Izraeli kishte zgjeruar kontrollin në rreth 64% të territorit të Gazës.
Sipas raportit, trupat izraelite janë pozicionuar përgjatë një vije të re të quajtur “Orange Line”, e cila zëvendëson “Yellow Line” si kufiri de facto i zonave të kontrolluara nga Izraeli.
Media raportoi gjithashtu se ky veprim ishte kryer me miratimin e një bordi paqeje të ngritur nga presidenti amerikan Donald Trump, pasi Hamas nuk kishte respektuar afatin për çarmatimin.
Nga ana tjetër, Hamas akuzon Izraelin për shkelje të planit të paqes të propozuar nga Trump, duke vazhduar sulmet në rajon.
Sipas autoriteteve shëndetësore të grupit islamist, më shumë se 870 persona janë vrarë në Gaza që nga fillimi i armëpushimit në tetor.
Banorët raportojnë kufizime të reja të lëvizjes në pjesët lindore dhe veriore të Gazës, pasi ushtria izraelite ka ngritur barriera dhe pika kontrolli shtesë.
Plani i paqes i Trump parashikon tërheqjen e forcave izraelite në këmbim të çarmatimit të Hamasit.
ATSH
KOHA JONË SONDAZH

