Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka reaguar pas përplasjeve të regjistruara në oborrin e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” mbrëmjen e kësaj të hëne, duke shprehur shqetësimin për ngjarjen dhe kërkuar respektimin e vendeve të kultit. Kisha thekson se hapësirat e shenjta nuk duhet të shndërrohen në skena konfliktesh, pasi ato përfaqësojnë vende lutjeje, paqeje dhe shërbesash fetare.
Sipas reagimit, pamjet nga ngjarjet në oborrin e katedrales kanë nxitur shqetësim, ndërsa institucioni fetar rikujton rëndësinë e ruajtjes së karakterit të këtyre hapësirave. Në përfundim, Kisha u bën thirrje palëve të distancohen nga dhuna dhe të zgjedhin dialogun si mënyrë për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve.
Reagimi i plotë
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, pasi pa pamjet e ngjarjeve në oborrin e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, shpreh shqetësimin dhe bën thirrje të respektohen vendet e saj të shenjta. Ato asnjëherë nuk janë hapësira konflikti e përplasjeje dhe nuk i pranojnë ato.
Katedralja “Ngjallja e Krishtit” është vend i shenjtë lutjeje, vend ku kryhen shërbesat e shenjta dhe ku predikohet kultura e paqes.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë bën edhe njëherë thirrje për distancim nga dhuna dhe gjetjen e hapësirës së dialogut.
Tiranë, më 19 tetor 2026
