Kryeministri refuzoi të largohej nga qeverisja, 7 ministra japin dorëheqjen
Shtatë ministra nga partia më e madhe e Rumanisë, Social Demokratët (PSD), dhanë dorëheqjen nga qeveria e koalicionit pro-evropian të kryeministrit Ilie Bolojan, duke e lënë atë pa shumicë parlamentare dhe duke rrezikuar aksesin në fondet e Bashkimit Evropian.
Social Demokratët një pjesë e elektoratit të të cilëve është zhvendosur drejt opozitës së djathtë ekstreme, i kishin kërkuar Bolojanit të jepte dorëheqjen që të hënën. Ata shprehën pakënaqësi ndaj përpjekjeve të tij për të ulur shpenzimet shtetërore me qëllim reduktimin e deficitit buxhetor, më i larti në Bashkimin Evropian, pavarësisht se deri më tani kishin mbështetur masat e qeverisë.
Rënia e mundshme e koalicionit katërpartiak, i krijuar 10 muaj më parë, pritet të sjellë javë apo muaj bllokim politik. Kjo situatë mund të ndikojë negativisht në vlerësimin e kreditit të Rumanisë, tashmë në kufirin e fundit të gradës së investimit, si dhe të rrisë kostot e huamarrjes. Në rrezik janë gjithashtu rreth 27 miliardë euro fonde dhe kredi nga BE-ja.
Kryeministri Bolojan ka refuzuar të japë dorëheqjen, duke deklaruar se do të emërojë zëvendësues të përkohshëm nga radhët e kabinetit aktual. Këta mund të qëndrojnë në detyrë për deri në 45 ditë, derisa parlamenti të miratojë një qeveri të re. Ndërkohë, Social Demokratët pritet të paraqesin një mocion mosbesimi në ditët në vijim, i cili mund të rrëzojë qeverinë me mbështetjen e Aleancës për Bashkimin e Rumunëve (AUR), partia e dytë më e madhe në parlament dhe aktualisht në krye të sondazheve.
KOHA JONË SONDAZH
Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?
Results
Vota totale: 2928

