Kumanova, Lavrov: Thirrjet për “Shqipërinë e Madhe”, thirrje për gjakderdhje
Rusia është jashtëzakonisht e shqetësuar pas zhvillimeve më të fundit në Maqedoni dhe gjendjen në Kosovë, shoqëruar me idetë për Shqipërinë e Madhe. Ka qenë ky mesazhi i Ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov, gjatë vizitës së tij në Serbi këtë të premte.
“I bëjmë thirrje Bashkimit Europian që të bëjë më shumë kujdes ndaj këtyre tendencave shqetësuese, sidomos atyre që vënë në dukje konceptet terroriste”, tha Lavrov gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun serb, Ivica Daçiç.
Sipas Lavrovit, ajo që ndodhi në Kumanovë ishte një veprim terrorist i mirëpërgatitur dhe i bëri thirrje BE-së që të mos qendrojë e ndrojtur ndaj këtyre episodeve.
“Jam i bindur që Brukseli është në dijeni të situatës, por ata thjesht duhet të justifikojnë paaftësinë e tyre”, shtoi Lavrov.
Ministri i Jashtëm rus gjithashtu tha se ajo që ndodhi në Maqedoni ka lidhje me faktin se vendi nuk pranoi t’i vendoste sanksione Rusisë, si dhe ka shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë në projektin e gazsjellësit “Turkish Stream”.
Ndërsa Ministri i Jashtëm serb Daçiç, tha se ideja e Shqipërisë së Madhe nuk është dënuar me aq forcë sa duhet nga Brukseli dhe Uashingtoni, një ide që sipas tij ka pasoja politike, por edhe të tjera, sikurse ishin ngjarjet në Kumanovë.
“Nuk duhet të ketë standarde të dyfishta. Serbia nuk është e interesuar për çështjet politike të Maqedonisë, por për stabilitetin dhe sigurinë, sepse ai ka rëndësi për të gjithë rajonin”, theksoi Daçiç.