Kush do të jetë kryeministri i ri i Maqedonisë?
Marrëveshja e re mes katër liderëve të partive politike në vend parasheh largimin e kryeministrit Nikolla Gruevski dhe zëvendësimin e tij me një figurë që nuk është përfshirë në afera të ndryshme kriminale, sipas agjencisë së lajmeve INA.
Lidhur me këtë, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev deklaroi se, kryeministër i ri nuk mund të zgjidhet një person që është i përfshirë në materialet e përgjuara të cilat janë publikuar në shtyp. ”VMRO do të propozojë kryeministrin e ri, por ai duhet të jetë njeri i cili nuk është i përfshirë në materialet që publikoi opozita gjithë këto muaj me radhë”, deklaroi Zaev. Me këtë përjashtohen bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit aktual si Mile Janakievski, Zoran Stravrevski, Sasho Mijallkov, Gordana Jankullovska dhe shumë pjesëtarë tjerë të partisë, që ishin përfshirë në materialet e përgjimit publikuar nga LSDMja, sipas INAs. Gjithashtu marrëveshja parasheh që njëri nga tre postet kryesore në shtet ti takojë partisë shqiptare, Bashkimit Demokratik për Integrim. Edhe për këtë vlen parimi i njëjtë, nuk do të pranohen kandidatë të BDIsë që janë pjesë të aferës së përgjimeve.