Ky është burgu ku po mbahet presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro
Nicolás Maduro, presidenti i Venezuelës i arrestuar nga Shtetet e Bashkuara të shtunën më 3 janar, po mbahet në një kompleks famëkeq në Bruklin, i cili për shkak të kushteve është përshkruar si “ferri mbi tokë”.
Qendra Metropolitane e Paraburgimit (Metropolitan Detention Center – MDC), është një strukturë masive në qendër të Bruklinit, e cila prej dekadash ka strehuar disa nga të pandehurit më famëkeqë të Shteteve të Bashkuara në pritje të gjyqit.
E njohur si MDC, ajo është një nga burgjet federale më të mëdha në vend, me rreth 1.600 të burgosur në çdo moment.
Ndërsa disa prej tyre përballen me akuza të rënda, si trafik ndërkombëtar droge apo terrorizëm, shumica dërrmuese akuzohen për vepra penale më të lehta.
Qendra funksionon kryesisht si një stacion i ndërmjetëm për të ndaluarit që presin gjykimin ose shpalljen e dënimit.
Nga ky burg kanë kaluar emra të njohur, përfshirë Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtorja e financierit Jeffrey Epstein të dënuar për krime seksuale, Sean “Diddy” Combs, si dhe këngëtari R. Kelly, i dënuar për trafikim njerëzor.
Në të njëjtën qendër po mbahet edhe Luigi Mangione, në pritje të gjyqit për vrasjen e drejtorit ekzekutiv të UnitedHealthcare, Brian Thompson.
Burgu është kritikuar ashpër ndër vite për kushtet e këqija, të cilat janë cilësuar si “çnjerëzore” dhe “ferr mbi tokë”.
“Me kalimin e viteve, MDC është bërë sinonim i neglizhencës flagrante dhe keqtrajtimit të të burgosurve”, deklaroi Shoqata për Ndihmë Juridike në një njoftim për shtyp në qershor, duke kundërshtuar ndalimet e ICE në këtë burg.
Maduro, i cili do të dalë përpara gjykatës të hënën pasdite (5 janar), ka qenë në shënjestër të Departamentit Amerikan të Drejtësisë prej vitesh.
Në vitin 2020, prokurorë federalë në Manhattan e akuzuan atë si udhëheqës të kartelit “Cartel de Los Soles”, një organizatë e dyshuar për trafik droge që, sipas akuzave, drejtohet nga elita ushtarake dhe politike e Venezuelës.
Në një aktakuzë të zgjeruar, e bërë publike më 3 janar, u shtuan edhe bashkëshortja dhe djali i Maduros, Nicolás Ernesto Maduro Guerra, i cili në dokumente përmendet me nofkën “Princi”.

KOHA JONË SONDAZH

