
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi se Moska mbetet e përkushtuar ndaj marrëveshjeve të deritashme dhe atyre të ardhshme me Serbinë. Ai shtoi se po zhvillohen bisedime për furnizimin me gaz dhe për një kontratë të re afatgjatë. Komentet i bëri gjatë një takimi në kryeqytetin rus me politikanin prorus dhe ish-zyrtarin e lartë shtetëror të Serbisë, Aleksandar Vulin, njoftoi Ministria e Jashtme ruse të mërkurën.
Sipas Lavrovit, ai e njeh Vulinin prej kohësh si “njërin prej politikanëve kryesorë të Serbisë”. Siç u shpreh ai, ky i fundit i “kupton shumë mirë proceset politike dhe në to gjithmonë arrin ta identifikojë qëllimin kryesor: interesin e popullit serb”.
Kreu i diplomacisë ruse përmendi gjithashtu se Vulini është kryetar i Bordit Mbikëqyrës të kompanisë Srbijagas. Kjo detyrë, vijoi ai, “pasqyron synimin e përbashkët për bashkëpunim me përfitime të ndërsjella”.
“Janë duke u zhvilluar bisedimet për furnizimet e ardhshme me gaz dhe për një kontratë të re afatgjatë. E di se këtu ka qëndruar edhe drejtori i përgjithshëm i Srbijagasit, Dushan Bajatoviq”, tha Lavrovi. Ai shtoi se Rusia mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj “të gjitha marrëveshjeve tona, si atyre të mëparshme, ashtu edhe atyre të ardhshme”.
Srbijagas është ndërmarrje publike e Serbisë që merret me importin, furnizimin, transportin dhe shpërndarjen e gazit natyror në vend. Ajo luan rol të rëndësishëm në marrëdhëniet energjetike të Serbisë me Rusinë, nga e cila vendi siguron një pjesë të madhe të gazit natyror. Bashkëpunimi energjetik mbetet në qendër të marrëveshjeve mes Rusisë dhe Serbisë.
