Liban, flet frat Shukriu: Zoti nuk u jep leje njerëzve të vrasin

Pamje nga pasojat e bombardimeve në Bejrut.

Nga Bejruti, Rojtari Françeskan i Kuvendit të Shën Jozefit bën thirrje për paqe: “Ne do të vazhdojmë t’i mirëpresim ata që kanë nevojë. Boll me këto vuajtje. Njeriu nuk është send. Vdekja nuk është as mënyrë dhe as mjet për të ndryshuar strategjitë, demografinë apo kufijtë.”

Bombardimet izraelite që në Liban po vrasin njerëz, rrënojnë ndërtesat e po krijojnë edhe një “klimë urrejtjeje dhe hakmarrjeje e kanë shndërruar këtë shtet në një vend që nuk ka më të bëjë fare me Libanin e qetësisë”. Ajo që po ndodh nuk është pjesë e jetës së libanezëve të cilët, pavarësisht fesë, janë mësuar të jetojnë së bashku. Frati françeskan Toni Shukri, i Kujdestarisë së Tokës së Shenjtë, e përshkruan Libanin e vet si “një pëlhurë të endur, jo një koleksion grupesh fetare, por një pëlhurë e vetme, një entitet të vetëm, ku të krishterët dhe myslimanët janë një, dhe nuk kanë gjë të përbashkët me atë që po ndodh”. Frat Shukriu është rojtari i kuvendit françeskan të Shën Jozefit, në lagjen e krishterë Gemmayzeh të Bejrutit, “një zonë turistike në vete, si të thuash, por tani e rrethuar anekënd nga frika dhe pasiguria”. Kuvendi është një vend që mbart kujtimin e shpërthimit të portit që ndodhi në vitin 2020, por edhe të luftës libaneze, që nga fillimi i saj në vitin 1974. Megjithatë, “kuvendi mbetet gjithmonë një truall i shenjtë, ku njerëzit mbështesin besimin e tyre, ku ndihen të sigurt, sepse françeskanët kanë qenë gjithmonë të pranishëm. Ata kanë qëndruar gjithmonë këtu. Kurrë nuk e kanë braktisur manastirin, i cili ndodhet në zemër të qytetit, në pjesën më të vjetër, ku nuk ka as edhe një banesë të vetme”.

Asnjë vend nuk është i sigurt
Ka frikë të madhe ndër të shpërngulurit që kanë kërkuar strehim këtu, “sepse askush nuk e di kurrë se çfarë mund të ndodhë. Gjithçka mund të ndryshojë nga një çast në tjetrin”, por nuk ka asnjë vend në Liban që është i sigurtë tashti. “Mendonim se bombardimet do të ndaleshin në jug, ku janë zonat e Hezbollahut, ku është kufiri ‘i nxehtë’ me Izraelin, por predhat kanë rënë edhe këtu. Me sa duket, gjeografia e zonave të pasigurta po zgjerohet. Nuk mendojmë më se ka ndonjë zonë që mund të jetë e sigurt.”

Swiss Digital Desktop Reklama

Frika dhe mikpritja
Frika e madhe u vërtetua para dy ditësh kur, gjatë përgatitjeve për festën e Shën Jozefit, u trand toka. Ata që në atë kohë po luteshin në kishë dëgjuan bombardimin, vetëm 300 metra larg kuvendit françeskan. E megjithatë askush nuk iku. Kuvendi françeskan ka qenë gjithmonë një pikë referimi për ata që kanë nevojë, për refugjatët që vijnë nga Libani jugor, ose që në të kaluarën kanë ardhur për shkak të luftës në Siri. Korridoret humanitare kanë filluar gjithashtu nga kuvendi i Shën Jozefit përgjatë viteve. Edhe tani, ndërsa njerëzit jetojnë nën bombardime, është një vend mirëseardhjeje për të shpërngulurit. Deri më sot, rreth 150 vetë janë mirëpritur, por “ne duam të gjejmë një rrugëdalje tjetër për fëmijët dhe të moshuarit; ne duam të gjejmë një vend më të sigurt për ta. Sapo të vegjlit dëgjojnë një zhurmë që mund ta ngatërrojnë me një të shtëna, vrapojnë të fshihen nëpër skuta ose te nënat e tyre. Kemi nevojë të gjejmë një vend më të mbrojtur për ta.”

Swiss Digital Mobile Reklama

Zoti nuk i jep leje askujt të vrasë!
Françeskanët e kuvendit nuk kanë ndërmend të largohen nga Gemmayzeh. Ata qëndrojnë përkrah të bashkësive që sot përjetojnë ndjenjën tragjike të të qenit “të margjinalizuar, të padëshiruar, të shtypur”. Edhe pse frat Shukriu nuk e fsheh besimin e tij të madh te libanezët dhe aftësitë e tyre, prapseprap “Largqofti përfiton!”. Dhe frika po depërton te populli, me të gjitha pasojat që rrjedhin prej saj. Thirrja që bën frat Shukriu është mbi të gjitha një: “Mjaft me këtë vuajtje. Mendoni për ata që po vdesin, sepse Zoti nuk i ka dhënë askujt autorizimin për të vrarë njerëz”. Le të jetojmë duke respektuar ligjin, të drejtat e njeriut dhe besimin, thotë, sepse “njeriu nuk është një send çfarëdo dhe vdekja nuk është rruga e as mjeti për ndryshimin e strategjive, të demografisë apo të kufijve”.

R. Sh. Vatikan

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?