Libi, 20% e popullsisë së Dernës rezulton e vdekur ose zhdukur në ujë
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se 29 tonë furnizime shëndetësore, të mjaftueshme për pothuajse 250,000 njerëz kanë zbritur ditën e djeshme në Bengazi.
OBSH-ja dhe agjencitë e tjera ndërkombëtare të ndihmës në rast emergjencash u kanë kërkuar autoriteteve libiane të ndalojnë varrosjen e viktimave të përmbytjeve të së dielës së shkuar në varreza masive. Sipas ekspertëve varre të tilla mund të sjellin shqetësim mendor afatgjatë për familjet, ose të shkaktojnë rreziqe shëndetësore nëse ndodhen pranë ujit.
Sipas Gjysmëhënës së Kuqe Libiane, deri të enjten u regjistruan 11,300 të vdekur nga përmbytjet në Derna, ndërsa 10,100 persona të tjerë u raportuan të zhdukur dhe ka shumë pak shpresë se ndonjë prej tyre do të gjendet i gjallë.
“Në vetëm dy orë një nga kolegët e mi numëroi mbi 200 trupa në plazhin afër Dernës. Një e pesta e popullsisë së qytetit ka vdekur ose është zhdukur”, tha Bilal Sablouh, menaxher rajonal i mjekësisë ligjore për Afrikën në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.