Libi, dënohet me vdekje djali i Gaddafi-t, Saif al Islam
Një gjykatë në Libi vendosi të dënojë me vdekje djalin e kolonelit Muammar Gaddafi, Saif al islam dhe 8 bashkëpunëtorë të tij për krimet e kryera gjatë kryengritjes së vitit 2011.
Siaf al Islam dhe njerëzit e afërt me të ishin në proces me disa dhjetëra bashkëpunëtorë të tjerë të liderit të rrëzuar, i akuzuar për shtypje të dhunshme të protestave.
Gjithsesi, i biri i diktatorit nuk ndodhej në sallën e gjyqit në momentin e dhënies së vendimit, por ishte i lidhur me një video-konferencë.
Aktualisht ai mbahet nga një ish-grup rebelësh nga qyteti Zintan, që refuzon ta lirojë, raporton BBC në edicionin online.
Ish-shefi i shërbimeve sekrete të regjimit Gaddafi, Abdallah al Senousi është mes personave të ndëshkuar me dënimin me vdekje dhe po ashtu edhe ish-kryeministri Baghdadi al Mahmoudi. Megjithatë, atyre do t’u jepet e drejta e apelimit.