Ligjvënësit do të marrin deklaratat tatimore të ish-presidentit Trump
Ish-presidenti Donald Trump pësoi një humbje të dyfishtë të premten, pasi Departamenti i Drejtësisë i hapi rrugën publikimit të deklarimit të taksave si dhe zbuloi se ai iu kishte kërkuar zyrtarëve të këtij departamenti t’i shpallnin zgjedhjet si të korruptuara.
Ky është një ndryshim kursi i Departamentit të Drejtësisë, që nga koha kur zoti Trump ishte në drejtimin e Shtëpisë së Bardhë. Sipas dokumentit të publikuar nga Komisioni Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve, tani zyra e Shërbimit të Brendshëm të të Ardhurave duhet të sigurojë deklarimet tatimore të biznesmenit republikan.
Trump ishte presidenti i parë në 40 vjet, që nuk publikoi deklarimet e tij tatimore, si dhe dokumentet e tjera, pasi ai synonte të mbante sekret hollësitë mbi pasurinë e tij dhe aktivitetet e kompanisë së tij, “Organizata Trump”.
Komisioni Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve i udhëhequr nga demokratët ka thënë se dëshiron që të kontrollojë pjesërisht deklarimet tatimore për të parë nëse zoti Trump ka përfituar nga ligjet e taksave.
Po ashtu emailet e publikuara tregojnë se zoti Trump dhe aleatët e tij në javët e fundit të presidencës së tij i bënë presion Departamentit të Drejtësisë për të hetuar pretendimet e pabazuara për mashtrime të përhapura në zgjedhjet e vitit 2020. Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Drejtësisë po heton nëse zyrtarët e departamentit u përpoqën të përmbysnin rezultatet.
“Vetëm thoni se zgjedhjet ishin të korruptuara dhe pjesën tjetër ma lini mua dhe përfaqësuesve republikanë”, i ka thënë zoti Trump në një moment Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë Jeffrey Rosen, sipas shënimeve të marra nga Richard Donoghue, i cili në atë kohë ishte zëvendës Prokuror i Përgjithshëm dhe ishte pjesë e bisedës telefonike mes ish presidentit dhe zyrtarit të Departamentit të Drejtësisë.
Përfaqësuesit e e zotit Trump nuk iu përgjigjën një kërkese për koment.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, një demokrate, përshëndeti vendimin e Departamentit të Drejtësisë, duke thënë se qasja në këto dokumenta është “një çështje e sigurisë kombëtare”.