Lufta e Tretë Botërore
Nga Roger Cohen, The New York Times
– Zemër, ta thashë një herë, ka ndodhur shumë kohë më parë. Një shekull është një kohë shumë e gjatë.”
– O ma, të lutem!
– Mirë, është e ndërlikuar. Do vërtet ta dish?
– Po, mami.
– Është një histori e trishtueshme. Bota ishte e organizuar në një drejtim të vetëm dhe ai drejtim u shemb dhe gjatë këtij procesi u vranë me miliona njerëz.
– Uau. Si ishte e organizuar më parë?’
– Kishte disa gjëra që quheshin perandori. Ato kontrollonin territore të mëdha plot me popuj të ndryshëm, dhe disa prej këtyre popujve donin që të qeverisnin vetë në vend që të qeveriseshin nga një perandor i largët.
– OK.
“Perandoria Austro-Hungareze qe një prej tyre. Kishte shumë pallate madhështore në kryeqytetin e saj, në Vjenë, ku njerëzit vallëzonin nëpër ballo mondane. Ajo qeveriste disa pjesë të një qosheje të varfër të Europës të quajtur Ballkan, ku qeverisja e saj nuk qe e mirëpritur. Një ditë më 1914, trashëgimtari i fronit Austro-Hungarez dhe gruaja e tij u vranë në një qytet ballkanas të quajtur Sarajevë nga një djalë i ri, një serbo-boshnjak, i cili donte lirinë e sllavëve të jugut nga sundimi perandorak.
– Sa keq, mami. Mendoj se muzika ngeci. Po pastaj?
“Perandoria u inatos shumë. Ajo i tha Serbisë të bënte disa gjera përndryshe e priste lufta. Udhëheqësi në Vjenë ndihej i sigurt sepse kishte një shok të ngushtë, një fuqi në rritje që quhej Gjermani. Edhe Serbia kishte një shok të mirë, një vend që quhej Rusi, që është e madhe. Sidoqoftë, Serbia u soll rrotull, si ti me detyrat e shtëpisë, kështu që Austro-Hungaria i shpalli luftë.
– Po pastaj?
–Më pas Gjermania i shpalli luftë Rusisë, që kishte shoqe Francën, e cila nuk e kishte qejf Gjermaninë për disa arsye. Shumë shpejt Gjermania e sulmoi Francën nga Belgjika. Çka e bëri Britaninë që ta kapërcente kanalin. Ajo nisi luftën kundër Gjermanisë. Një tjetër perandori – shëndetligë – e quajtur Perandoria osmane, u bashkua krah Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë. Më vonë Shtetet e Bashkuara, një fuqi në rritje, hynë në skuadrën e britanikëve dhe francezëve. Brenda pak vitesh, mbi 16 milionë njerëz vdiqën. Perandoritë Austro-Hungareze, osmane, Gjermane dhe Ruse ranë.
– E gjithë kjo sepse u vra një çift? Mami, kjo është e çuditshme.
– Nganjëherë gjërat e vogla bëhen të mëdha, njerëzit e humbasin durimin dhe perspektivën, nga një shkëndijë e vogël bëhet një rrëmujë e madhe.
– Mami, kjo mund të ndodhë përsëri, apo jo?
–Jo.
– A ka ndonjë perandori që ka mbetur ende edhe sot?
Disa njerëz e quajnë Amerikën perandori edhe pse nuk ka një perandor. Ajo është shteti më i fuqishëm në tokë, me ushtarë anembanë botës dhe me shumë njerëz që mbështeten tek ajo për udhëzime dhe mbrojtje. Por Amerika po dobësohet.
– Pra, mami, është siç the ti, se bota është e organizuar në një drejtim, dhe më pas niset të organizohet në një mënyrë tjetër, dhe shumë njerëz vdesin gjatë procesit?
– Jo tamam, zemër. Ku vdesin?
– Në Siri. Mami, çfarë është Siria?
– Është një vend i vogël me njerëz dhe fe të ndryshme, që u krijua kur Perandoria Osmane u sëmur aq rëndë saqë u shemb.
– Pse po luftojnë njerëzit aje?
– Është e ndërlikuar. Do vërtet, vërtet ta dish?
– Po, mami.
– Mirë, atje ishte ky tiran brutal dhe i lashtë që sillej si perandor dhe një pjesë e popullit në Siri u ngrit kundër tij. Tirani nisi t’i qëllojë ata. Amerikës, Britanisë dhe Francës, ndërmjet vendeve të tjera, nuk iu pëlqeu kjo dhe thanë se do t’i mbështesnin rebelët, por nuk e bënë edhe aq.
– Pse?
– Sepse, sikurse të thashë, Amerika është shëndetligë. Po dobësohet.
– OK. Po pastaj?
“Tirani ka një shok të madh që quhet Rusi. Ai kishte një tjetër shok të madh që quhej Iran. Ata të dy po që e mbështetën atë”.
– Pra ai fitoi?
“Jo tamam. Shumica e njerëzve që donin të çliroheshin nga tirani ishin myslimanë sunitë. Ata mbështeteshin nga Arabia Saudite, që është Qendra e Sunitëve që e urren Iranin dhe që ka mbështetur fanatikët sunitë. Turqia, e cila është trashëgimtarja e Perandorisë Osmane dhe që e urren tiranin sirian, u bashkua gjithashtu me skuadrën e rebelëve. Por Turqia urren edhe më shumë se tiranin një tjetër popull në Siri, që quhen kurdë – kështu që kryesisht ajo ka qenë e gatshme në një mënyrë gjarpërushe që të ndihmojë një grup sunitësh të çmendur që presin koka, vrasin kurdë dhe që qëllojnë njerëzit nëpër qytetet perëndimore”.
– Mami, u çorientova.
– Siria është shpërbërë, sikurse Perandoria Osmane. Rusia po bombardon disa armiq të tiranit sirian. Amerika po bombardon prerësit e kokave. Këtë po bën edhe Franca. Turqia rrëzoi një avion rus. Rusia është e xhindosur. Kurdët duan shtetin që nuk e morën dot përpara 100 vjetësh. Arabia Saudite po bën një luftë rajonale kundër Iranit. Kjo luftë është më intensive në Siri, ku kanë vdekur me qindra mijëra njerëz”.
– E gjithë kjo sepse disa njerëz donin të çliroheshin nga një shtypës?’
– Ndonjëherë gjërat e vogla zmadhohen, mjafton një shkëndijë dhe bëhet kjameti.”
– Mami, si do të ishte Lufta e Tretë Botërore?’
– Mos u shqetëso e dashur, çdo gjë është ndryshe tani.
– Plotësisht?
– Plotësisht. Ne kemi jetë, liri dhe kërkojmë lumturinë. Gëzuar Ditën e Falenderimeve, dashuria ime!
KOHA JONË SONDAZH

