Lufta me Covid-19/ Eksperti Anthony Fauci tregon se kur do i rikthehemi normalitetit
Eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive në SHBA, Anthony Fauci tha të premten se vetëm vitin e ardhshëm jeta mund t’i rikthet normalitetit të para-pandemisë. Por gjithçka do të varet sipas tij nga fakti nëse vaksina kundër koronavirusit do të jetë në dispozicion deri në fund të këtij viti.
Zoti Fauci i tha rrjetit televiziv MSNBC se “shpërndarja e vaksinës, mbrojtja apo vaksinimi i shumicës së popullsisë, ka të ngjarë të mos ndodhë deri në mes ose në fund të vitit 2021”.
Ndërkohë disa spitale në SHBA kanë refuzuar një pjesë të furnizimit të tyre me Remdesivir, ilaçi që përdoret për të luftuar COVID-19 prodhuar nga Gilead Science. Lajmi u konfirmua të premten nga Departamenti i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore.
Nga 6 korriku deri më 8 shtator, sistemet shëndetësore publike shtetërore dhe lokale pranuan rreth 72 për qind të Remdesivirit të ofruar nga ky departament, konfirmoi një zëdhënës të premten për agjencinë “Reuters”. Qeveria ka udhëhequr masat për shpërndarjen e ilaçit, por kjo përpjekje skadon në fund të muajit. Të shtunën në SHBA u regjistruan më shumë se 6.4 milionë të infektuar me COVID-19 dhe më shumë se 193 mijë të vdekur./VOA