Xho Bajdeni synon të jetë presidenti i ardhshëm demokrat i SHBA-së, me një qasje të re politike për sa i përket zhvillimit të tregtisë dhe shtendosjes së raporteve me Kinën dhe partnerët e tjerë ekonomikë.

Kandidati për president i Amerikës, Xho Bajden, do të konsultohet me shtetet aleate a duhet vazhduar lufta tregtare SHBA-Kinë që kreu aktual i shtetit, Donald Tramp, e ka nisur prej vitesh.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve, “Rojter”, këshilltarët e demokratit thanë se Bajdeni do të evitojë gabimet e Trampit për sa i përket tarifave dhe barrierave tregtare.

Përveçse kanë tensionuar raportet me Pekinin, administrata republikane në pushtet i ka aplikuar ato edhe ndaj partnerëve ekonomikë kyç si Bashkimi Europian apo Kanadaja.

Presidenti Tramp urdhëroi në vitet 2018-2019 rreth 370 miliardë dollarë tarifa mbi mallrat kineze për të ngushtuar deficitin e thellë tregtar që sipas tij dëmtonte ekonominë amerikane.

Në muajin janar, palët arritën një marrëveshje që e detyron Kinën të blejë 200 miliardë dollarë produkte amerikane bujqësore, blegtorale dhe manifakturore deri në vitin 2021.

Eksportet drejt Kinës në shtator përmbushën vetëm 50 për qind të objektivit për vitin aktual.

Demokrati Bajden ka deklaruar se nëse ai bëhet president, do jetë më agresiv ndaj Kinës, ndërsa Trampi pretendon të kundërtën, se demokrati nuk ka staturën për t’i bërë ballë agresionit kinez e rus, dhe se SHBA-ja me të në udhëheqje do i dobësojë pozitat e shtetit.

Sondazhet tregojnë se publiku amerikan është pak i interesuar për politikat tregtare që vendi ka me shtetet e tjera, duke u renditur ndër çështjet e fundit për garën presidenciale.

Ndërkohë muajt e fundit, për shkak edhe të pandemisë, është rritur përqindja e votuesve amerikanë që besojnë se tarifat ndaj eksporteve kineze do e ndihmojnë ekonominë e vendit.